Ismail Zeneli, i njohur me nofkën “Dajloki” është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë. Zeneli akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pjesëmarrje ne tij në grupin e strukturuar kriminal të Erzen Breçanit dhe Ervin Matës, grup i cili u “shkatërrua” nga SPAK muaj më parë.

Ismail Zeneli akuzohet për veprat penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe materiale për te kryer vrasje”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Ismail Zeneli

Zeneli nuk akuzohet vetëm për droge, por edhe si personi që donte të vriste vëllezërit Albert dhe Edmond Nela.  Ai kishte pajtuar Bujar Gërmizin për eliminimin e tyre. Ata kanë bashkëpunuar me shefin e Krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjonin, i arrestuar gjithashtu nga operacioni i SPAK, për të tentuar vrasjen e 2 vëllezërve që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Ndërsa, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, e cila po ashtu ra në prangat e Policisë mësohet se gjatë kohës kur punonte në “Interpol” u ka dhënë informacione nga sistemi për dy objektivat që jetonin në Angli. Deri më tani dyshohet se plani për vrasjen e dy vëllezërve ishte bërë pas konfliktieve për pazaret e drogës.

Sipas dosjes hetimore, Dedan Gjoni kryen veprime aktive duke ndjekur motrën dhe nënën e dy vëllezërve, tenton t’ju vërë GPS në makinë, ndërsa nxjerr nga sistemi TIMS të dhënat për Albert dhe Edmond Nelën. Vrasja nuk realizohet, pasi nuk arrijnë të gjejnë vendndodhjen e dy vëllezërve.

Ndërkohë, Ismail Zeneli rezulton person kyç në trafikun e drogës nga Brazili dhe Ekuadori në drejtim të vendeve të BE-së dhe bashkëpunon ngushtë me Eralbi Breçanin.

  • Njoftimi i policisë:

Vijojnë intensivisht operacionet për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë finalizuar nga Interpol Tirana, 2 operacione ekstradimi, nga Spanja dhe nga Franca.

U krye ekstradimi nga Spanja, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar I. Z. alias L. S., 50 vjeç, i lindur në Kukës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

SPAK ka regjistruar procedim në vitin 2023 dhe në kuadër të këtij procedimi, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, kanë zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane. Gjithashtu, hetimet janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura ne Shqipëri. Dyshohet se shtetasi I. Z. alias L. S. është koordinuar me bashkëpunëtoret e tij dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e shtetasve A. N. dhe E. N., me qëllim vrasjen. Më tej, dyshohet se ky shtetas është koordinuar me bashkëpunëtorët e tij, për trafikimin e lëndëve narkotike, nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me Interpol Madridin, u bë i mundur arrestimi i tij në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Gjithashtu, nga Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Xh. K. alias Xh. K., 48 vjeç, i lindur në Pukë.

Shtetasi Xh. K. alias Xh. K. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”. Ky shtetas, pas disa konflikteve me bashkëshorten e tij (në proces divorci), e ka marrë atë në telefon dhe e ka kanosur me jetë, në prani të fëmijëve të saj të mitur.

Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpol Tirana me Interpol Paris, Francë, u bë i mundur arrestimi i tij në Francë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë“, thuhet ne njoftim.