Igli Hasani do të jetë ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili do të zëvendësojë Olta Xhaçkën.

Ndryshimet i bëri publike kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS.

Po kush është Igli Hasani?

Ai ka qenë koordinator Ekonomiko-Ambiental i OSBE-së. Ky pozicion është më i larti i mbajtur ndonjëherë nga një shqiptar në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Ndërsa më herët ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vjenë.

Igli Hasani drejtoi misionin e Shqipërisë në OSBE, nga janari i vitit 2018 deri më nëntor të 2021, kohë gjatë së cilës Shqipëria pati edhe Presidencën e radhës së OSBE-së.

Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014) dhe drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Ai është diplomuar në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.