Në datën 23 janar, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ekzekutoi një pagesë 1.75 milionë euro për një studio përmbarimore. Përfituesi i pagesës është një shtetas i quajtur Shpëtim Dama, ndërsa arsyeja pse u paguan paratë është prishja e një çibani 4 katësh që pati ekzistuar deri para pak vitesh në mes të Sheshit Italia, përballë me Sheratonit dhe ngjitur me stadiumin Arena.
Rrëmbimi i 1.75 milionë eurove nga paratë e qytetarëve shqiptarë është epilogu i një historie, që i ka brenda të gjitha; papërgjegjshmërinë e zyrtarëve por edhe korrupsion kapilar të shtetit. Por akti i parë i saj është një vendim i jashtëligjshëm i Edi Ramës, në vitin e largët 2002, kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës më sëpatë në dorë.
Dhe kjo është vetëm një pagesë e pjesshme, pasi fatura totale është 2.9 milionë euro.
Historia
Më 13 qershor të vitit 2002, Edi Rama, asokohe Kryetar Bashkie i miratoi Shpëtim Damës lejen e ndërtimit për një “kompleks rekreativ 3 katësh”. Kjo leje u dha edhe pse binte ndesh me Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2000 që e shpallte zonën pjesë të “Ansamblit Monument Kulture”. Sipërfaqja e sheshit të ndërtimit ishte 348 metra katror dhe ajo e shfrytëzimit 290 metër katror.
Por një vit më vonë, më 7 maj 2003, Kryeministri Fatos Nano e shfuqizoi lejen. Më pas nisi një sagë e vërtetë ligjore në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Në vitin 2007, Dama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila rrëzoi vendimet e Gjykatës së Rrethit, Apelit dhe Gjykatës së Lartë me gjykimin se ato kishin anashkaluar mundësinë e shpronësimit dhe kjo e riktheu sërish çështjen nga e para.
Në Gjykatën e Rrethit dhe në atë të Apelit në vitin 2009, Dama mori vendime pozitive dhe për këtë nisi punimet pak muaj më vonë. Ndërkohë punimet u bllokuan edhe një herë për t’u zhbllokuar pas një tjetër serie gjyqesh që do të mbyllej në janar të vitit 2014.
Shpëtim Dama e vazhdoi ndërtimin dhe godina njohu në fund si pronarë krahas tij, dy vëllezërit Arben e Engjëll Burimi dhe Dorjan Leknikajn.
Thyerje e lejes dhe legalizim kriminal
Leja e ndërtimit e dhënë në vitin 2002, ishte për një objekt të projektuar nga arkitektët Gjergj Ruci dhe Agim Myftiu.
Por ajo që rezultoi pas ndërtimit në 2015-ën, nuk ishte ajo që ata kishin projektuar. “Kompleksi rekreativ” u bë pa leje nga 3 në 4 kate dhe me një strukturë lineare xhami. Sheshi i zënë rezultoi të ishte 421.9 dhe jo 348 metra katror sa ishte trualli që zotëronte Shpëtim Dama përpara vitit 2002 dhe shfrytëzimi i sipërfaqes ishte 323 dhe jo 290 metra sa e përcaktonte leja.
Pavarësisht këtyre shkeljeve të mëdha, godina nuk u kërkua më të prishej, përkundrazi në mars të vitit 2019, çuditërisht ajo u legalizua. Në dokumentin e legalizimit u konsiderua thjesht në “tejkalim leje ndërtimi” edhe pse ishte bërë kat shtesë dhe ishte zënë më tepër sipërfaqe.
Legalizimi u bë dy vite pasi kishte nisur puna për Arenën Kombëtare dhe rindërtimin e sheshit Italia. Edhe pse dihej se mbi “kompleksin rekreativ” binte projekti i sheshit Italia, legalizimi nuk u ndalua, përkundrazi. Dhe vetëm 4 muaj pas legalizimit, në korrik të vitit 2019, Erion Veliaj dërgoi rruspat duke prishur godinën.
“Çibani i fundit! Ikën ngrehina e mbetur nga aksi qendror i Tiranes për ta hapur plotësisht Sheshin “Italia” për Arenën Kombëtare,” deklaroi Veliaj pas prishjes së godinës.
Fatura e majme
Pas shembjes së ndërtesës nisi një sagë tjetër gjyqësore. Pronarët që kishin përfituar padrejtësisht tokën publike në mes të sheshit Italia, tani kërkonin paratë e kompesimit për prishjen e ndërtesës me lejen. Dhe me lejen e Edi Ramës në dorë dhe legalizimin Rilindas, ja dolën.
Në dhjetor të vitit 2023, Gjykata e Apelit vendosi me vendim të formës së prerë për kompesimin e pronarëve në masën 2.9 milionë euro. Qeveria dhe avokatura e shtetit e ankimuan vendimin në Gjykatën e Lartë. Por në tetor të vitit të kaluar Gjykata e Lartë e rrëzoi rekursin duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.
Një javë më parë, qytetarët paguan 2.9 milionë euro nga xhepat e tyre për papërgjegjshmërinë dhe korrupsionin që jep leje dhe legalizon çibanë në mes të Tiranës. E megjithatë, ky është vetëm një rast.
Qytetarëve po u merren qindra milionë euro çdo vit përmes vendimeve gjyqësore që burojnë nga aktet e papërgjegjshme dhe korruptive të qeveritarëve. Që nga largimet e padrejta nga puna, arbitrazhet e deri tek kompesimet kontraktuale.
Kjo është fatura e rëndë e keqqeverisjes, të cilën populli e paguan çdo ditë, por me sa duket nuk e ndien. Sepse i kanë hedhur si kockë SPAKU-n dhe drejtësinë e re. Por keqqeverisja nuk rregullohet me SPAK dhe as faturën e saj nuk e paguan SPAK-u./kapitali