Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bën thirrje qytetarëve të mos kalojnë përmes rrugës së Llogarasë, për shkak të një zjarri të madh që ka rënë në këtë zonë.
Nga pamjet, zjarri ka përfshirë shpatin piktoresk në qafën e Llogarasë, duke djegur pemë e shkurre.
Një tjetër vatër zjarri është ende aktive në fshatin e Dhërmiut.
Njoftim për qytetarët:
Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogarasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën.
U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit.