Kuzhinieri i famshëm turk, Burak Özdemir, apo siç njihet në rrjetet social CZN Burak, është shtruar në spital. Vetë ai ka publikuar një fotografi nga spitali, por nuk specifikoi se çfarë intervenimi bëri. Për këtë, në media turke u shkrua se sëmundja e tij mund të lidhet me peshën, megjithëse nuk u dha ndonjë informatë e konfirmuar.
Burak u lind në Stamboll dhe më mënyrën e tij të gatimit u kthye në një fenomen në rrjete sociale. Ai përgatit ushqime në masa të mëdha dhe enë të mëdha, derisa njihet edhe si kuzhinieri që gatuan me sytë kah kamera.
Burak, i cili tanimë numëron më shumë se 34 milionë ndjekës në Instagram, është edhe pronar i një rrjeti restorantësh të quajtur Hatay Medeniyetler Sofrası, shkruan Haberler.com, transmeton Gazeta Express.
Me mbështetjen e babait të tij, i cili është pronar i një kompanie tekstili, ai hapi një qebaptore të quajtur Hatay Medeniyetler Lokantası në Aksaray në vitin 2009. Brenda pak vitesh hapën degë të ndryshme dhe krijuan një rrjet restorantesh.