Gazeta Jonë sjell detaje ekskluzive nga dosja penale e kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i arrestuar me kërkesë të SPAK-ut disa ditë më parë, së bashku me 12 zyrtarë të tjerë, për tenderin e ndërtimit të ujësjellësit Lagja e Vjetër, Bulqizë, me vlerë rreth 3 mln euro. Nga dosja rezulton se Lefter Alla, në datën 11 qershor 2021, ka publikuar një foto nga punimet për ndërtimin e ujësjellësit. Në foton është fiksuar edhe një punonjës me logon e kompanisë “2 AF ALBANIA GROUP”, fakt që tregon se punimet po zbatoheshin nga kjo kompani. Ky detaj është pjesë e dosjes së SPAK-ut. Ndërkaq, tenderin në letrat e kishin fituar dy kompanitë ‘Egland shpk’ me pronar Rasim Daci si dhe ‘BE-IS shpk’ me pronar Hamz Ismailaj.
Kompania “2 AF ALBANIA GROUP” është në pronësi të Munir Konesha 80% të aksioneve dhe Aqif Konesha me 20 % të aksioneve. Nga këqyrja e sistemit TIMS, rezulton se Lefter Alla, në 16 prill 2021, ka udhëtuar jashtë vendit me makinën e kompanisë “2 AF ALBANIA GROUP”. Në 9 mars 2020, Alla ka udhëtuar jashtë vendit bashkë me Aqif Koneshën, me makinën e këtij të fundit. Jo vetëm kaq. Por, agjentët e SPAK-ut kanë zbarkuar në Bulqizë, duke vëzhguar në terren se si po kryheshin dhe kush po i kryente punimet për ujësjellësin. Në datat 3 mars 2022, 6 prill 2022, 12 maj 2022 dhe 19 korrik 2022, agjentët kanë vëzhguar dhe fiksuar me foto punëtorë dhe mjete të kompanisë “2 AF ALBANIA GROUP” duke punuar për ujësjellësin.
Në datën 3 mars 2022, Lefter Alla ka dalë nga Bashkia Bulqizë dhe ka hyrë në lokalin ‘Vip Beer’. Në orën 16 dhe 39 minuta aty vjen edhe Aqif Konesha, administratori i kompanisë që po zbatonte kontratën që në letra ishte lidhur me kompanitë e Rasim Dacit dhe Hamz Ismailajt. Më pas, Lefter Alla dhe Aqif Konesha hipin në një makinë ‘Range Rover’ dhe nisen në drejtim të Qafës së Buallit. Kryebashkiaku ishte ulur në vendin e parë. Gjatë rrugës makina ndalin dhe në sediljen e pasme hipën edhe Alban Konesha. Makina Range Rover vazhdon rrugën dytësore me çakull dhe hyn në një tunel të ndërtuar gjatë regjimit komunist. Ky është momenti që grupi i vëzhgimit ka humbur objektivin. Nuk dihet se çfarë kanë bërë Lefter Alla, Aqif Konesha dhe Alban Konesha në tunel. Vëzhgimi rifillon disa ditë më vonë.
Marrëveshja për nënkontraktim duhej të aprovohej nga Bashkia e Bulqizës. Marrëveshja me dy kompanive fituese dhe kompanisë “2 AF ALBANIA GROUP”, sipas SPAK-ut, është përpiluar vetëm pasi palët janë vënë në dijeni se po hetoheshin, konkluzion ky i bazuar në prova shkencore, futura tatimore, përgjime dhe dëshmi. SPAK ka faktuar disa vepra penale si shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh. Tenderin e kanë fituar formalisht me letra kompanitë ‘Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’, ndërsa punimet i ka kryer me një kosto shumë më të ulët se sa vlera e tenderit kompania “2 AF ALBANIA GROUP” e lidhur me Lefter Allës. Si rrjedhojë dyshohet se palët kanë ndarë paratë publike sipas roleve të tyre në këtë aferë.