Zgjedhja për të mbajtur syze ose lente kontakti për korrigjimin e shikimit në përgjithësi varet nga preferencat personale, të cilat përfshijnë stilin e jetës, komoditetin dhe buxhetin.
Njëra nuk është domosdoshmërisht më e mirë se tjetra; secila ka avantazhet dhe disavantazhet e veta për sa i përket shikimit, lehtësisë së përdorimit dhe shëndetit të syve , kështu që lind pyetja – lentet e kontaktit apo syzet, cilat janë më të mirat për ju?
Kur mbani syze, keni lehtësinë për t’i hequr ato në çdo kohë të ditës. Ju nuk do të shqetësoheni për pastrimin e tyre menjëherë ose nevojën për zëvendësimin e tyre pas përdorimit, sepse syzet tuaja mund të mbahen për aq kohë sa ju duhen. Ndërkohë, vendosja e lenteve të kontaktit është ndryshe. Do t’ju duhet t’i hiqni ato sipas udhëzimeve të okulistit tuaj dhe t’i pastroni shpesh për të parandaluar që t’ju irritojnë sytë.
Megjithatë, meqenëse lentet e kontaktit aplikohen në sytë tuaj, ato mbulojnë të gjithë fushën e shikimit dhe ju japin vizion më të mirë qëndror dhe anash, duke krijuar përvojë më të mirë se ajo syzeve. Vetëm mos harroni se ato nuk janë për të gjithë. Oftalmologu juaj do të duhet të kryejë disa teste gjatë ekzaminimit të syrit tuaj për të siguruar që lentet e kontaktit janë të përshtatshme për sytë tuaj. Mjeku mund të pyesë edhe për stilin tuaj të jetesës, si për shembull nëse përdorni shumë një ekran dixhital, sepse lentet dhe koha e gjatë para kompjuterit shpesh nuk shkojnë mirë.
Përparësitë e syzeve:
1. Mbajtja e syzeve zvogëlon nevojën për të prekur sytë, gjë që zvogëlon gjasat për të irrituar apo infektuar sytë tuaj.
2. Nëse keni sy të thatë ose të ndjeshëm, syzet nuk do ta përkeqësojnë problemin aq sa lentet e kontaktit.
3. Në planin afatgjatë, syzet janë më pak të kushtueshme se lentet e kontaktit. Ju nuk keni nevojë t’i ndërroni syzet aq shpesh (përveç nëse i thyeni!) dhe nëse numri juaj ndryshon, mund të jeni në gjendje të mbani syzet tuaja aktuale dhe thjesht të zëvendësoni lentet.
4.Syzet janë në modë dhe mund të zbulojnë shumë për personalitetin dhe stilin tuaj
5. Syzet ofrojnë njëfarë mbrojtjeje ndaj faktorëve mjedisorë si era, pluhuri dhe mbeturinat.
Përparësitë e lenteve të kontaktit:
1. Lentet e kontaktit përshtaten me lakimin e syrit tuaj, duke ju dhënë një fushë më të gjerë shikimi dhe duke shkaktuar më pak shtrembërime dhe pengesa të shikimit sesa syzet.
2. Lentet e kontaktit nuk ndërhyjnë në sport dhe ushtrime.
3. Lentet e kontaktit nuk ndikohen nga moti dhe, ndryshe nga syzet, nuk mjegullohen në mot të ftohtë.
4. Disa lente kontakti kanë aftësinë për të riformuar kornenë tuaj gjatë gjumit. Ortokeratologjia gjatë natës (Ortho-k) korrigjon përkohësisht miopinë, duke ju lejuar të shihni qartë të nesërmen pa pasur nevojë për syze ose kontakte.
Ngelet në dorën tuaj të përcaktoni se cilat nga avantazhet më sipër përshtaten më mirë me stilin tuaj të jetesës. Rëndësi ka që shëndeti i syve të mos neglizhohet dhe të mbahet në kontroll me vizita të vazhdueshme. Bëni kujdes edhe nga qëndrimi i gjatë para ekranit, është armiku numër një i shikimit!