Pas 6 muajsh hetime, policia e shtetit njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar, Ermes Hoxhalli, për skemën e mashtrimit me vizat amerikane, që iu premtoheshin gjimnazistëve me rezultate të larta në Shqipëri. Më 6 qershor, përmes një deklarate Ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi se projekti i njohur si “Let’s Talk Together About US24”, po mashtronte duke pretenduar se financohej nga qeveria amerikane, pasi ai nuk kishte asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA dhe Departamentin e Shtetit të SHBA.
Ditën e sotme, Policia njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar nga Devolli, i cili sipas tyre ka qenë i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
NJOFTIMI I POLICISË:
Hetime proaktive të përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit, Ambasadës së ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Arrestohet një shtetas shqiptar, i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin. Më datë 22.07.2024, është arrestuar shtetasi E. H., 20 vjeç, banues në Devoll.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Policia e Shtetit shqiptar falënderon Prokurorinë e Seksionit të Përgjithshëm, Tiranë dhe Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, për ndihmën në këtë hetim kompleks dhe për partneritetin e vazhdueshëm.
Më herët për rastin e mashtrimit ishte vënë nën hetim Valentina Lamaj, zyrtare në drejtorinë rajonale të Arsimit në Tiranë, si dhe një bashkëpunëtore e saj. Hetimet u nisën pas një paralajmërimi nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ndërkohë që dhjetra gjimnazistë denoncuan pranë ZËRI-t, se ishin bërë pjesë e kësaj skeme mashtrimi, duke dhënë projektidetë e tyre, si dhe të dhënat personale. Atyre iu ishte premtuar se personat që do të paraqisnin projektet më të mira, do të merrnin bursa studimi në Shtetet e Bashkuara. Në krye të skemës qëndronte një personazh me emrin Klea Rama, të cilën gjimnazistët nuk e kishin takuar kurrë nga afër. Në rrjetet e saj sociale, ku përdoreshin foto joreale, Klea Rama pretendonte se ishte mbesa e kryeministrit shqiptar. Ajo që e bën alarmante të gjithë këtë histori, është se ky projekt mashtrimi arriti që të depërtojë lirshëm në të gjitha shkollat, madje dhe me vetë bekimin e zv.ministres së arsimit, Nina Guga.