Lidhje edhe Fidel Ylli , si ia dhuroi Artur Shehu pronën miliona euro kreut të Interpol Roma , RAI 3 hedh “bombën”
Gjenerali i karabinierëve, Fabrizio Lisi, i cili ka mbajtur edhe postin e shefit të Interpolit Italian në Shqipëri, në vitet 2014-2015, u gjend në mes të një skandali të madh, kur “Telegiornale 3” zbuloi në vitin 2020, se një fondacion i drejtuar prej tij në vendin tonë kishte marrë një dhuratë të vyer, rreth 30 mijë metra katrorë tokë në bregun e Vlorës, nga një i dyshuar si narko-trafikant, Artur Shehu.
Kjo histori u rikthye sërish këtë të dielë, në emisionin “Report” të Rai Tre. Gjeneral Lisi u pyet për mënyrën se si fondacioni “Luca dhe Marco Eftimiadhi” përfitoi tokën nga Shehu.
“Nuk e njihja këtë person. Rastin ma solli Ëngjëll Agaçi (Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, shën.red). Unë e besoja Agaçin, pasi ai ishte njeri i besuar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama”, thotë ndër të tjera gjeneral Lisi në një bisedë me gazetarët e emsionit “Report”.
Gjatë komunikimit, Fabrizio Lisi dukej në vështirësi për të dhënë detaje mbi këtë çështje.
Fillimisht ai mohoi që fondacioni, i drejtuar prej tij dhe ku bënin pjesë edhe disa diplomatë të ambasadës italiane në Tiranë, kishte marrë tokë dhuratë nga Artur Shehu.
Por, kur gazetari i vendosi përpara dokumentat e noterit, në të cilat dallohej lehtësisht se dhuruesi ishte Artur Shehu, gjeneral Lisi filloi të tregohej më i hapur dhe të përmendte emrin e Agaçit.
Sipas tij, Artur Shehu, i cili jeton prej kohësh jashtë Shqipërisë, në kohën e dhurimit, nuk ishte në kërkim në vendin tonë. Gazetari e pyet se Artur Shehu ishte në hetim në Itali dhe se si kishte mundësi që shefi i Interpolit, pra Lisi, të mos ishte në dijeni të këtij fakti.
“Ai nuk ishte në kërkim në Itali, por emri i tij kishte dalë në disa dokumenta. Unë nuk mund të kërkoja në të gjithë Italinë për letrat ku ishte emri i tij”, thotë Fabrizio Lisi.
Ai shton më tej se “fola me Ëngjëll Agaçin dhe ai më tha se i pëlqen kjo histori (dhurimi i tokës)”.
– Ti, i besove se ishte Agaçi në mes?- e pyet sërish gazetari.
– Natyrisht– shprehet i bindur gjeneral Fabrizio Lisi.
Në vijim, gazetarët e emisionit paraqesin të dhëna publike dhe zyrtare, në bazë të të cilave emri i Artur Shehut gjendet që në vitin 2000 në dokumentat hetimore italiane, si drejtues i një grupi criminal që trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Po ashtu, emri i Artur Shehut ishte në dokumentat e antimafias italiane në vitin 2013, pra vetëm dy vjet para dhurimit të tokës, në një hetim për Albino Prudentinon e të tjerë eksponentë të klanit mafioz, Sacra Corona Unita.
Emri i Ëngjëll Agaçit përmendet edhe në disa çështje të tjera, të prekura nga emisioni “Report”, si ish-avokat i trafikantëve shqiptarë në Itali, dhe si personazhi kyç për realizimin e paktit Rama-Meloni për vendosjen e emigrantëve nga vendet e treta në Gjadër, të Lezhës, në Shqipëri.
Agaçi ka reaguar pas investigimit të kryer nga “Report” në Rai Tre.
Ai deklaron se “kam lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga program televiziv ‘Report’ është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje ndaj ‘Report’, thotë Agaçi në reagimin publik.
Si lidhet Fidel Ylli
Ish-drejtori i Interpolit në Itali, Fabrizio Lisi, avokatët Giampaolo Polverini, Francesco Zaccaria, dhe diplomati Eugenio Campo në ditët e fundit të vitit 2014 vendosën të themelonin një fondacion bamirësie. E pagëzuan me emrin Luca dhe Marco Eftimiadhi, pasardhës të një familjeje shqiptare, të shpërngulur në Trieste të Italisë, në fund të viteve 1800, sipas INA.
INA Media nuk mundi të gjejë të dhëna historike apo edhe dokumente mbi këtë familje në Shqipëri. Të vetmet të dhëna për këtë familje janë rrëfimet e publikuara të Paulo Muner-it, ushtarak italian, që ka shërbyer në Shqipëri në vitin 1991 si komandant i Rojës Bregdetare italiane dhe më pas si konsulent në qeverinë shqiptare, (2001-2003).
Në librin Shqiptarët e Triestes ushtaraku rrëfen se, në vitin 1992 ka zënë miqësi me Salvadore Eftimiadhin, pasardhësin e fundit të kësaj familjeje. Muner dëshmon se familja kishte pasuri në Vlorë dhe se Salvadore kishte dështuar në përpjekjet për ta rifituar të drejtën e pronësisë.
Është i paqartë burimi i pronësisë së familjes, pasi në vendimin e Gjykatës së Vlorës së vitit 1994, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Eftimiadhit për rikthimi e 11,314 m2 tokë në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë, shkruhet se pretendentët nuk dispononin dokumente të qarta, pronësie.
Ushtaraku dëshmon se Eftimiadhi kishte ndërmend të ngrinte një fondacion në nder të babait, Lukës, dhe të vëllait Markos, që ishte vrarë gjatë pushtimit gjerman të qytetit të Brindisit.
“Meqenëse nuk kishte trashëgimtarë legjitimë, kishte vendosur t’ia linte të gjitha pronat një fondacioni, që do të ngrihej për përjetësimin e të atit dhe të vëllait, me qëllim parësor ndihmën e studentëve vlonjatë për vazhdimin e studimeve në Trieste”, – shkruan Muner.
Salvadore Eftimiadhi, trashëgimtari i fundit i familjes, ndahet nga jeta më 31 tetor 2008. Ai nuk mundi ta themelonte fondacionin e ca më pak të rifitonte pronat, që pretendonte në Shqipëri.
Ai që ushtaraku Muner thotë se ishte amaneti i Salvadore Eftimiadhit merr jetë 6 vjet më vonë. Megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta më familjen Eftimiadhi, të tre burrat me nënshtetësi italiane, që krijuan fondacionin, kanë lidhje të forta me Shqipërinë.
Avokati Polverini ka ndarë prej vitesh zyrën me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë shqiptare, Engjell Agaçi; Gjeneral Lisi ka shërbyer për tre vjet në misionin paqeruajtës, 1997-1999, në Shqipëri, si dhe i ka dedikuar një libër Shqipërisë. Diplomati është Qytetar Nderi i Shkodrës, ndërsa Zaccaria përfaqësonte familjen e larguar nga Shqipëria në fundin e viteve 1800.
“Fondacioni nuk ka qëllim fitimi, ai ngrihet vetëm me qëllim bamirësie”, – thuhet në aktin e themelimit të fondacionit në Romë.
Dokumentet tregojnë se brenda një muaji fondacioni u regjistrua si aktivitet jofitimprurës edhe në gjykatën shqiptare. Në Shqipëri nuk gjenden rekorde për aktivitete bamirësie të fondacionit me seli në qendër të Tiranës. Por, ai që nisi si fondacion bamirësie, shumë shpejt u shndërrua në ndërmarrje tregtare.
Dy muaj pas themelimit në Romë, fondacioni përfiton sipërfaqe të konsiderueshme pronash në Shqipëri nëpërmjet akteve të dhurimit. 3000 m2 tokë buzë detit të Nartës u regjistruan në emër të fondacionit në verën e vitit 2015. Sipërfaqja, vetëm 19 ditë para kontratës së dhurimit, ishte e regjistruar në emër të Artur Shehut në zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë.
Pjesë e marrëveshjes është edhe dhurimi i 590 m2 apartamente tek Uji i Ftohtë. Sipas agjencive imobiliare, çmimi në këtë zonë shkon nga 900 deri në 1000 euro m2. Dhuruesi për të dyja këto pasuri ishte Artur Shehu.
Kontratat nuk i japin arsyet e këtij akti bamirësie nga ana e Shehut. Janë nënshkruar nga Alketa Ylli (Orsini), e cila është edhe administratorja e fondacionit, si dhe nga Pëllumb Petritaj, në cilësinë e personit të autorizuar nga Shehu. Aktualisht, asnjë projekt nuk është zhvilluar në këto zona, por Narta është një nga zonat, që planifikohet si shesh ndërtimi për zhvillimin e turizmit në vend.