Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet për lidhjet ruse të Monika Kryemadhit. Këhtu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili shtoi se Kryemadhi duhet të kishte dalë në deklaratë për mediat me një sqarim të detajuar pasi rezulton e lidhur me aksionerë që janë në listën e zezë të SHBA.
Balla thotë se është prekur siguria kombëtare ndërsa shton se Kremlini e ka përdorur këtë skemë me lidhjen e politikanëve shqiptarë që të dëmtojë demokracinë dhe të krijojë front pro rus në Shqipëri. Sa i përket përfshirjes së Monika Kryemadhit, ish-kryetare e LSI, në financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës, Balla ngre pikëpyetje se si vazhdon të jetë i pashqetësuar dhe të mos sqarojë përfshirjen në dokumente të tilla bashkëshortja e një ish-presidenti që ka llogari bankare të off-shoreve.
“Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe lidhet me faktin se edhe Shqipëria ka qenë vulnerabël dhe target i penetrimit të financimeve të paligjshme nga kompani guacka, off-shore që financonin parti politike apo politikanë të caktuar. Ajo që ka zbuluar dje Top Channel ose ka vijuar, por e djeshmja është panoramë e plot, skemë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve e biznesmenëve të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshme në Europë. Raste të tilla janë zbuluar. Përpjekja është e qartë, lidhja me politikanë për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front pro rus në këto vende.
Kryemadhi duhet të kishte dalë e t’i sqaronte. Si ka mundësi që gjendesh në dokumente tëe tilla. Kanë dalë dhe aksionerët që janë në listat e zeza të SHBA për shkak edhe sanksioneve të vendosura pas agresionit rus dhe më e rëndësishme është subjekti i deklarimit. Në cilin vend të Europës do të dilte një politikan i këtij niveli dhe si bashkëshortë e presidentit të Republikës kur ka një llogari në off-shore. E mbani mend çfarë tërmeti shkaktoi emri i një politikani në llogaritë bankare të off-shoreve në Panama, shumica e politikanëve dhanë dorëheqjen dhe organet ligjzbatuese nisën menjëherë hetimet, në rastin tonë Prokuroria. Unë mendoj që është prekur siguria kombëtare. Kur je në shoqëri tregtare ku marrin pjesë politikanë të lidhur me Putin, kjo është e rëndë”, tha Balla.
Deklaratën e fortë të Sali Berishës që Damian Gjiknuri është zëdhënës i interesave ruse, Taulant Balla thotë se janë mashtrime. Sipas tij, edhe Berisha me Bashën janë të lidhur me pagesat nga kompanitë e njerëzve të Vladimir Putinit.
“Të marrësh referencë mashtrimet e Berishës, s’është etike ndaj ka një media që është kombëtare. Po flinsim për Monika Kryemadhin, por Berisha është po aq i lidhur si dhe Lulzim Basha”, tha Balla.