Në 18 muaj luftë, që ende vijon, sidomos muajt e fundit me kundërofensivën ukrainase, është e vështirë të flasësh me shifra reale të viktimave apo të plagosurve në radhët e ushtarëve apo civilëve.
Ukraina sot, si vend në luftë me Rusinë, e ka të vështirë të flasë për numra zyrtarë të të vdekurve, megjithatë zyrtarët amerikanë, të cituar nga e përditshmja “Nju Jork Times” flasin për shifrat më të fundit, me të dhënat që mbeten të klasifikuara.
“Nju Jork Times” flet për 70 mijë të vdekur dhe 120 mijë të plagosur. Janë shumë, meqenëse flasim për një ushtri me 500 mijë ushtarë në total. Ndërsa zyrtarisht, Kombet e Bashkuara kanë regjistruar 9177 vdekje, në radhët e civilëve, që nga nisja e luftës më 24 shkurt të vitit të shkuar.
Në muajin prill, pas të dhënave sekrete që rrodhën nga Pentagoni, vdekjet në radhët e ukrainasve, civilë apo ushtarakë, ishin jo më shumë se 17.500. Mirëpo rritja e numrit të viktimave, shpjegohet me nisjen e kundërofensivës ukrainase, muajt e fundit, sidomos në jug dhe i dedikohet kryesisht të rënëve në mbrojtje të Bakhmut, qytetit që ra në duart e Rusëve në maj, duke regjistruar betejën më të përgjakshme të luftës 18-mujore.