
Në një deklaratë për mediat Prokuroria e Durrësit tha se priti tre muaj Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit për të identifikuar një laborator të aftë që mund të kryente analizat e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme që dyshohet se u eksportuan ilegalisht nga Shqipëria.
Prokuroria e Durrësit reagoi të mërkurën në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga organizata mjedisore për vonesa në hetimin e çështjes së mbetjeve të dyshuara të rrezikshme që u rikthyen në Durrës para 12 javësh, pas një tentative të dështuar eksportimi drejt Tajlandës që dyshohet si e paligjshme.
“Në mungesë të infrastrukturës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Reagimi i prokurorisë erdhi pasi BAN ngriti një ditë më parë shqetësim për vonesat në hetim dhe mungesën e transparencës. “Nuk jemi të sigurt as nëse mostrat janë marrë dhe analizat kanë filluar,” tha zoti Jim Puckett nga BAN. “Nëse ka filluar, është shqetësuese që mostrat nuk janë marrë publikisht dhe pa ndjekur protokollet e duhura dhe zinxhirin e ruajtjes së provave”, shtoi ai.
Në reagim prokuroria pretendoi se vonesat vinin për shkak të kërkimit të një laboratori të përshtatshëm. Prokuroria bëri me dije se vetëm sëfundmi ishte bërë e mundur identifikimi i laboratorit që plotësonte kriteret e kërkuara.
“Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave”, thuhet në reagim. Prokuroria tha po ashtu se në pamundësi të marrjes së dëshmisë nga përfaqësuesi i Basel Action Network, BAN, Jim Puckett për shkaqe procedurale, ishte administruar një e-mail prej këtij të fundit.
Mbetjet e dyshuara të rrezikshme u eksportuan fillisht nga Shqipëria drejt Tajlandës, por pasi rasti u ekspozua në publik, anija u kthye pas në Portin e Durrësit, ku mbërriti në 28 tetor 2024. Pasi u shkarkuan në Durrës mbetjet u vunë nën sekuestro nga prokuroria, e cila kishte nisur më herët hetim në lidhje me këtë çështje. Por 12 javë pas këtij procesi, ekspertiza për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me lëndë të rrezikshme ende nuk është arritur të kryhet. BIRN