Mallëngjehet Fatmir Xhafaj. Ish-ministri i Brendshëm ishte sot në emisionin “Opinion”, ku foli për çështjen e vëllait të tij dhe denoncimin e Ervin Salianjit, i cili për këtë arsye vazhdon të vuajë dënimin me burg.
Ndër argumentet juridike në mbrojtje të vëllait, Fatmir Xhafaj përmendi edhe vlerat e tij si politikan në PS, duke hedhur poshtë akuzat se ka qenë prokuror gjatë regjimit komunist. Edhe pse, me metoda të ngjashme me ato të komunizmit, ai dëshmoi në emisionin “Opinion” se kishte shkuar në Gjermani dhe kishte marrë dëshmitë e personave që kishte pasur në hetim, sipas të cilëve nuk i kishte hetuar për çështje politike.
“Një i ri, gabim i moshës i tejkaluar” – kështu justifikoi ish-ministri Xhafaj veprimet e Agron alias Geron Xhafaj, i cili është dënuar me 7 vjet e dy muaj burg nga Gjykata e Apelit në Itali për përfshirje në grup kriminal për trafik të lëndëve narkotike. Edhe pse u shfaq në media pas 6 vitesh heshtje, Fatmir Xhafaj nuk mundi të përmbante mllefin ndaj atyre që e kanë sulmuar për çështjen e vëllait, duke sulmuar politikanë dhe prokurorë për këtë temë.
Në fund, Fatmir Xhafaj lëshoi disa lot për problemet që i ka shkaktuar familjes roli i tij si ministër i Brendshëm dhe burgu i vëllait. Ai iu shtua në fakt radhës së politikanëve që, sa herë kanë halle, i drejtohen kamerës me lot në sy, sikur hallet e ish-ministrave të Ramës që qajnë nëpër studio janë edhe hallet e shqiptarëve.