Eksporti i të paktën 800 ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme nga Shqipëria në drejtim të Singaporit zbuloi të paktën tre aktorë të rëndësishëm, si të përfshirë në skandalin me përmasa që tejkalon kufijtë e Shqipërisë.
Pas shpërthimit të skandalit, të tre këta aktorë kanë nisur të kryejnë “manovra”, për të shpëtuar sa më shumë nga ajo që mund të përbëjë një prej situatave më të rënda mjedisore të identifikuara në Shqipëri.
Më së pari, reagoi qeveria, nëpërmjet zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Megjithëse me një reagim shumë të vonuar në kohë, Balluku u shfaq publikisht për të mohuar përfshirjen e Portit të Durrësit dhe Doganave. Sipas numrit dy të qeverisë, detyrimin për kontrollin e ngarkesave në kontenierë që dalin nga porti e ka kompania koncesionare që operon në atë zonë.
Por, ky justifikim i Ballukut fut shumë “ujë”, pasi kontrata koncesionare, por edhe legjislacioni në fuqi, ngarkon institucionet shtetërore me përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e eksporteve, si edhe të aktivitetit të kompanisë së huaj.
Kurum shpall “falimentin”
Kompania turke “Kurum”, fillimisht, dha një gjysmë sqarimi në ditët e para të skandalit. Ajo mohoi që të ketë kryer eksportimin e lëndëve të dyshuara të rrezikshme. Por, kompania private nuk dha asnjë shpjegim nëse ajo ia kishte shitur mbetjet e furrave një kompanie shqiptare, “Sokolaj”.
Pasi nuk i doli gjë me këtë justifikim, “Kurum” njoftoi qindra punonjës të saj se do t’u ndërpresë kontratën e punës brenda tre muajve, nën argumentin se “nuk ka mundësi financiare”.
Ky justifikim, gjithashtu “fut ujë”, pasi bilancet tregtare të vitit të kaluar tregojnë se “Kurum” ka dalë me fitim dhe nuk është aspak në kushtet e falimentit.
Ekspertë ekonomistë kanë shfaqur publikisht dyshimet e tyre në media se ky “falimentin” i Kurum-it në fakt duket më shumë si një presion që kompania private, në këtë periudhë skandali, i bën qeverisë shqiptare me punonjësit.
“Sokolaj” sajon kompani të re
Aktori i tretë në aferën e eksportimit të mbetjeve të dyshuara është kompania ‘Sokolaj”. Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës lanë të kuptohej se kompania transportuese “Sokolaj” shpk mund të kenë falsifikuar deklaratat doganore.
Shoqëria private ende nuk ka dhënë asnjë reagim publik mbi këtë situatë. Megjithatë, brenda saj ka pasur lëvizje, sidomos pas nisjes së hetimeve penale nga Prokuroria e Durrësit.
Në 13 Gusht 2024, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) regjistrohet vendimi i ortakut të shoqërisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, për shkarkimin e administratores Olizana Pemati.
Gjithnjë sipas të dhënave të dorëzuara nga vetë kompania, vendimi për shkarkimin e Pematit është marrë që në 27 qershor 2024, por ai është dorëzuar dy muaj me vonëse në QKB dhe për këtë arsye është paguar edhe penaliteti përkatës.
Zonja Pemati është një personazh shumë i rëndësishëm në kompaninë “Sokolaj”. Ajo ka mbajtur postin e administratores së kompanisë në periudha të ndryshme dhe me shkëputje të herëpashershme, duke nisur që nga viti 2010.
Ndërkohë, pas shkarkimit si administratore nga “Sokolaj” shpk, zonja Olizana Pemati nuk humbet kohë dhe regjistron një kompani në emër të saj.
Në 23 Gusht 2024, në QKB regjistrohet shoqëria “GG & OV”, me objekt “Grumbullim, depozitim të mineraleve të kromit, bakrit, transport me të tretët dhe logjistik”.
Objekti i veprimtarisë është thuajse i njëjti me atë të kompanisë “Sokolaj” shpk. Por, nuk ndalet këtu.
Kompania “e re” e Olizana Pematit, “GG & OV” shpk gjendet në adresën “Rruga Vath Turja, pasuria nr. 108/24, Zone Kadastrale 8517, Durrës”, e cila është e njëjta me atë të kompanisë “Sokolaj”.
Objekti dhe adresa e njëjtë mes dy kompanive krijojnë dyshimet e forta se shoqëria e re, “GG & OV” shpk e Olizana Pematit mund të përdoret si trampolinë për “Sokolaj” shpk, nëse kjo e fundit do të përballet me probleme pas skandalit të transportit të eksportimit të mbetjeve të dyshuara nga Porti i Durrësit drejt Singaporit. /Boldnews