Edhe pse sapo kishte humbur të birin në masakrën e Dobraçit, Mustafa Lici është marrë në pyetje nga Policia e Shkodrës lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi vendin dhe la pas 4 viktima. Për shkak të ceremonisë mortore, marrja në pyetje e tij është bërë në ambientet e shtëpisë së tij, në lagjen Kiras të Shkodrës pasi Mustafa Lici ishte shprehur se e kishte të pamundur që të shkonte në ambientet e Komisariatit. Kështu menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore, oficerë të policisë kriminale në Shkodër, kanë shkuar në banesën e tij, për ta intervistuar.
Mustafa Lici, ka dhënë shpjegime mbi atë çfarë dinte për ngjarjen duke treguar se djali i tij, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, kanë qenë shokë të ngushtë dhe kjo miqësi mes tyre është trashëguar edhe për shkak të miqësisë që vetë ati ka pasur me të atin e viktimës tjetër, politikanin Xhemal Bushati. Sipas dëshmisë së Licit, ditën e ngjarjes djali i tij dhe miku i familjes Arlind Bushati, janë nisur në drejtim të Malit të Zi, për të shkuar në Podgoricë.
“Sapo kanë hyrë në Dobraç, janë qëlluar nga një pritë e organizuar prej anëtarët e një grupi kriminal që janë të lidhur fort me qeverinë. Hamzai nuk kishte asnjë precedent penal dhe u vra pa faj. Faji i vetëm i tij ishte se kishte vëlla Ibrahim Licin,”-kështu është shprehur Mustafa Lici. Sipas dëshmisë që ka siguruar gazetari i “OraNews“, Elton Qyno, i ati i viktimës është shprehur se i biri ishte një besimtar i devotshëm, që falte 5 vakte.
I pyetur për djalin tjetër, Ibrahimin, i cili dyshohet se mund të ketë qenë personi i tretë në makinë me viktimat, Mustafa Lici tha se i biri është në Turqi. Duke mohuar pretendimet që qarkullojnë se personi që është kapur në kamera, i gjithi me të zeza është djali i tij i dytë, Ibrahimi. Kur u pyet nëse kishte emra ku dyshonte, “plaku” i familjes Lici tha se dyshime kishte shumë, por ende nuk mund të fliste me emra konkretë.
Në pyetje ështtë marrë edhe babai i Arlindit, ish-kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Xhemal Bushati. Ky i fundit rikthen kërcënimin që mori i biri në tetor, vetëm disa javë para se të vritej.
“Askush nuk mori masa për parandalimin e kësaj ngjarje,”-tha Bushati.
Sipas gazetarit, Policia e Shkodrës ka ngritur dyshime të forta se atentati është organizuar nga një grup kriminal i përbërë nga familja “Bajri” dhe “Bilali”. Vrasja ka si motiv gjakmarrjen dhe përplasjen historike mes dy fiseve dhe familjes Lici në Shkodër, por sërish këto informacione janë siguruar përmes burimeve dhe ende nuk ka asnjë detaj të konfirmuar nga Policia e Shkodrës. Deri më tani janë shpallur në kërkim Policor Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshani, pasi dyshohet se kanë informuar autorët për lëvizjet e viktimave, por sërish…asgjë nuk është konfirmuar.