Grupi hetimor i ngritur për masakrën në Dobraç në Shkodër ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagos një tjetër, është vënë në kërkim të personave që mund të kenë luajtur rolin e organizatorit. Në kërkim nga policia janë disa anëtarë të grupit të Bajrave, ku në mesin e tyre janë edhe Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, por ende nuk janë gjetur.
Grupi hetimor është përqendruar në marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, për të gjurmuar mjetin “Range Rover Sport”, e cila u përdor nga autorët ditën e ngjarjes. Për shkak se makina u dogj nga autorët pas atentatit, targat e mjetit janë të pakuptueshme e po ashtu edhe numri i shasisë. Në të tilla kushte, Policia po merr denoncimet që janë bërë më 12 drejtori vendore mbi kallëzimet për vjedhje të këtij lloj automjeti. Ky detaj ndoshta do të zbulojë më shumë për organizatorët e ngjarjes.
Gjithashtu ende nuk është verifikuar se cili është personi që është i gjithi me gjak në videon e publikuar. Autoritetet nuk kanë zbuluar se kush ishte shënjestra e atentatit.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur.