Mbetjet toksike të Kurum , dikush po mbron krerët turq të kompanisë në dëm të shëndetit të shqiptarëve, çfarë po ndodh në KULISA
Prokuroria e Durrësit ka angazhuar një ekspert kimist për të analizuar 2800 ton mbetje toksike të kompanisë KURUM, të sekuestruara në Porto Romano pas kthimit nga Tajlanda. Pas një periudhe të gjatë pritjeje, institucionet përkatëse më në fund iu përgjigjën kërkesave të Prokurorisë, duke hapur rrugën për përcaktimin e procedurës së marrjes së mostrave dhe laboratorit ku do të kryhen analizat.
Duke qenë se këto mbetje përbëjnë një rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, marrja e mostrave duhet të kryhet sipas një protokolli të rreptë sigurie. Megjithatë, vonesat institucionale dhe mungesa e veprimeve të shpejta kanë lënë të pazbardhur një skandal që përfshin jo vetëm kompaninë KURUM, por edhe eksportuesin Sokolaj Shpk, të administruar nga Gjovana Sokolaj.
Skandali shpërtheu pasi 102 kontejnerët e eksportuar nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës u kthyen mbrapsht për shkak të mungesës së miratimit nga autoritetet tajlandeze. Rrjeti Bazelit sinjalizoi këtë rast dhe dyshohet se ka pasur edhe tentativa të tjera për eksport të mbetjeve të rrezikshme.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, përplasjet e brendshme mes institucioneve po pengojnë përparimin e çështjes, duke ngritur dyshime mbi ndikimin e interesave të fuqishme. Pavarësisht përmasave të skandalit, ende nuk ka asnjë të arrestuar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi vullnetin për të ndëshkuar përgjegjësit. Për të garantuar një hetim të plotë dhe të pavarur, dosja duhet t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme. /gazetajone