Me Sali Berishën apo Enkelejd Alibeajn? Ori Nebijaj, deputetja që u bë pjesë e Kuvendit pasi përfitoi mandatin nga dorëheqja e Grida Dumës shprehet në një intervistë për Report Tv se nuk e sheh veten si pjesë të asnjë grupi por si pjesë të Partisë Demokratike.
Sali Berishën e cilëson si lider historik të PD ndërsa tregon se ka respekt edhe grupin parlamentar që përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj. Një koment e pati edhe për festën e 32-vjetorit të themelimit të PD që i gjeti demokratët të ndarë.
“Nuk ka ndonjë demokrat që e pëlqen këtë moment kur 32-vjetori i themelimit gjen PD në 2 festa. I kam të gjithë kolegë, kam ndarë momente e të vështira me ta dhe në një opozitë kaq të gjatë e të mundimshme, një festë si 32 vjetori duhet të ishte festuar bashkë. Nuk është me vend të shohim pas duke e parë veten të ndarë. Nuk dua ta shoh veten si pjesë të asnjë grupi, por si 0pjesë të PD. Unë do të jem në parlament si e djathtë që përfaqëson të djathtën. Jam aty për qytetarët”, tha Nebijaj.
E pyetur se kush është kreu i PD, Nebijaj tha se do të presë vendimin e gjykatës dhe zgjodhi të mos bënte koment. Megjithatë thekson misionin e vetëm të opozitës për të sjellë më të mirën për shqiptarët.
“Berisha do jetë gjithmonë në krye të PD, ai është lider historik, pavarësisht se shohim drejt së ardhmes. Kam respet për grupin parlamentar që përfaqësohet nga Alibeaj dhe për ata që mbështesin Berishën. Jam e detyruar që t’i jap ligjit atë që meriton. Sfida e vetme e përbashkët e opozitës së madhe është të bëhet më e mira për shqiptarët. Besoj që viti që vjen do e gjejë opozitën me shumë punë të ndërtuar
Zoti Berisha është uragan energjish dhe në foltore, teksa mbante syzet e errëta që i shkonin, padyshim që të emocionon. Berisha është aty ku i takon”, tha Nebijaj.
Sa i përket betimit në parlament, Nebijaj thotë se nuk munguan emocionet ndonëse u mirëprit me puthje e përqafime nga demokratët.
“Më zunë emocionet teksa shkoja në parlament për sfidën e madhe që më pret. Në sallë u ndjeva më komode se më mirëpritën”, tha Nebijaj.
Po ashtu e cilëson shumë të vështirë vendimin për të pranuar mandatin duke qenë se kandidoi për deputete në një kohë kur PD nuk ishte e përçarë.
“Ajo që më ka bërë përshtypje ishte se siç e përjetoja unë, e përjetonte shumë kush. Me persona që kam folur edhe në rrjete sociale më kanë thënë mendoje me kujdes se situata politike nuk është njësoj si atëherë kur vendosa të marr pjesë në zgjedhje. Ishte vendim i vështirë se shoh misionin dhe dëshirën për të bërë maksimumin”, tha Nebiaj.
Orjela Nebijaj kandidoi në zgjedhjet parlamentare 2021, por nuk siguroi dot një mandat. Asaj iu hap rruga për t’u futur në Kuvend pasi Grida Duma la mandatin për t’u angazhuar në botën e televizionit. Nebiaj pati siguruar 5606 vota preferenciale.