Detaje të reja janë mësuar nga aksioni që po zhvillon Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mësohet se një masë sigurie është “prere” për Hajdar Bakon, alias Hajdar Çopja, i cili gjithashtu njihet me nofkën “Dari i Elbasanit”.
Bako u arrestua më 22 maj të këtij viti në Dubai pasi është i dënuar me 4 vite burg për plagosje me dashje. Emri i tij më herët është përmendur nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, që e akuzon për përfshirjen në disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit.
Kush është Dar Çopja?
Hajdar Çopja është një personazh i njohur në Elbasan dhe Dubai për shkak edhe të përplasjes me vëllezërit Alibej. Ai rezulton në dosjen e SPAK mbi Nuredin Dumanin dhe deklarimet e tij para prokurorëve. I shpalluri në kërkim dhe vëllezërit e tij, Ervini dhe Francis Bako së fundmi u përmendën edhe në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili ekspozon si financues, për vrasjen e Arjan Spahisë në Belgjikë, ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë Erion Alibejn.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…,”-ka treguar Dumani.
Duke qenë se aksioni i sotëm është i bazuar në zbardhjen e bisedave në “SkyECC”, ka dyshime se urdhërarresti për të është prerë pasi akuzohet për tentativën e vrasjes së “Krymit”, Erion Alibejt në Elbasan.