Artjon Çaushllari, një prej të arrestuarve si pjesë e grupit të laboratorit të kokainës, ka qenë zyrtare në Bashkinë Tiranë. Ai ka drejtuar Ndërmarrjen e Punëtorëve numër 3 në kryeqytet. Por, në vitin 2017, u largua bashkë me një sërë kolegësh të tij, që kishin dalë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, (sot Partia e Lirisë).

Më 27 korrik të vitit 2017, një ditë pasi këshilltarët e LSI-së nuk morën pjesë në votimin për propozimin që rriste me 20 lekë për metër kub çmimin e ujit në kryeqytet, nisi një valë lëvizjesh në Bashkinë e Tiranës,

Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka firmosur shkarkimin nga detyra të tre zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët vinin nga radhët e LSI. Kështu u largua nga detyra drejtori i Ndërmarrjes Numër 3 të kryeqytetit Artjon Çaushllari, administratori i Njësisë Farkë Mateo Shaba, si dhe drejtoresha e qendrës sociale në Shkozë, Kajame Sinani.

Dje, Çaushllari ndodhet pas hekurave bashkë me nëntë persona të tjerë dhe nesër do të dalënë gjyq për tu njohur me masën e sigurisë.

Në pranga janë vënë edhe: Geis Sejfullai, Klajdi Birçe, Endi Sejdini, Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi, Hiwlen Narvaez, Joze Vasquez dhe Samuel Serrano.

Endi Sejdini rezulton të jetë pronari i shtëpisë ku përpunohej droga. Fshati Qerekë nuk u zgjodh në mënyrë rastësore. Kjo zonë ndodhet mes aeroportit “Nënë Tereza” dhe Portit të Durrësit dhe nuk monitorohet dot me dronë nga autoritetet.

Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri përpunohej duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian.

SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë. Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda. Më 15 nëntor SPAK në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë dhe arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine.