Daria Gusa ishte 16 vjeçe dhe ende në shkollë të mesme, kur thotë se mori një mesazh privat në Instagram nga Andrew Tate, një influencues i njohur në rrjete sociale dhe pothuajse 20 vjet më i madh se ajo.
“Thjesht më shkroi “vajza rumune” dhe vendosi një emoji luleshtrydheje. Isha konfuze sepse kisha vetëm 200 ndjekës dhe mbaja një llogari private”, tha Gusa.
Ajo është një nga dy adoleshentët që kanë përshkruar për BBC se si Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan iu afruan atyre në internet, me sa duket duke përdorur një formulë standarde.
“Ishte e qartë se ne ishim vajza të shkollës së mesme,” tha Daria. “Ne kishim shkollën e mesme në biografinë tonë, unë mendoj se ai thjesht po përpiqej të gjente vajza që ishin sa më të pafajshme ose naive, për mendimin tim”, tha ajo.
Ajo tregoi dhe një screenshot të mesazhit, të cilit nuk iu përgjigj kurrë. Por shton se e njëjta gjë kishte ndodhur dhe me disa nga miqtë e saj të cilat i kthyen përgjigje mesazhit.
Daria, e cila tani është në universitet në MB, është vajza e politikanit të njohur rumun Cozmin Gusa.
Vëllezërit Tate janë aktualisht në paraburgim 30-ditor në Rumani teksa policia heton akuzat për përdhunim dhe trafikim të qënieve njerëzore.
Një video e publikuar në rrjete sociale gjithashtu tregon si Andrew Tate udhëzon të tjerët se si t’u qasen vajzave në rrjete sociale, duke ngritur dyshime për një skemë të gjërë të trafikut të qënieve njerëzore.