Fundjava që presim do jetë më e ftohta e muajit Janar!
Këtë e ka bërë të ditur ekspertja e IGJEO Anira Gjoni e cila, tregon se do moti do jetë i kthjellët por do shoqërohet me temperatura nën 0 gradë.
“Duke qenë se jemi nën ndikimin e masave të ftohta me origjinë polare përgjatë kësaj jave do na shoqërojë mot i kthjellët por me temperatura të ulëta. Presim që gjatë fundjavës, pra dita e shtunë dhe e diel të arrijnë edhe temperaturat minimale më të ulëta dhe moti do jetë i kthjellët dhe qëndrueshëm. Nuk do të presim që të kemi reshje shiu. Temperaturat ditën e nesërme presim që të shkojnë minimalet në zonat bregdetare në 5 gradë, në zonat e ulëta 2 gradë dhe në zonat malore presim që të regjistrojnë në -4. Në fundjavë presim në minimalet në bregdet të zbresin në 3 gradë, në zonat e ulëta ku përfshihet dhe kryeqyteti në -1 gradë dhe në zonat malore presim që të shkojnë deri në -6 gradë. Këto nuk janë minimale ekstreme për vendin tonë, thjesht janë temperatura të ulëta dhe i konsiderojmë normale për stinën ku ndodhemi. Presim që janari të jetë i ngrohtë siç ishte java e parë. Pas datës 15 janar presim që dy javët e tjera të jenë temperatura relativisht të ngrohta”, shprehet Anira Gjoni.
Përsa i përket ngricave ekspertja e motit Anira Gjoni shprehet se do jenë prezente në akset rrugore të zonave malore, pasi nuk është e nevojshme të ketë reshje, për të patur prezencë të tyre nëse temperaturat janë nën 0 gradë.
“Në zonat malore, në akset rrugore ku temperaturat do arrijnë në -6 gradë, duhet patur kujdes pasi shoqërohen me ngrica. Nuk është e nevojshmë që të ketë reshje për të patur ngrica, mjafton edhe bryma që na shoqëron në zonat malore, ku nën ndikimin e temperaturave të ulëta kthehen në ngrica”, shprehet ekspertja e IGJEO-s.