Jahti miliona dollarësh i ish-agjentit të KGB-së, Vladimir Strzhalkovsky, është ankoruar ditën e sotme në portin industrial të Sarandës, mesa duket për t’u furnizuar me naftë.
Bëhet fjalë për jahtin “Ragnar” me vlerë 85 milionë dollarë, në pronësi të Strzhalkovsky, i cili është mik i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin. Ata kanë shërbyer së bashku si agjentë të KGB-së në Leningrad (Shën Peterburgu sot). Megjithatë ai nuk është në listën e BE-së për oligarkët e sanksionuar.
Vitin e kaluar, oligarku rus e pati të pamundur të lundronte me jahtin e tij, pasi u bllokua në portin norvegjez sepse asnjë shtet dhe kompani private nuk pranonte t’i shiste naftë.
Kryesisht, jahtet që zgjedhin portin jo turistik të Sarandës, vizitojnë vendin tonë për t’u furnizuar me naftë dhe largohen drejt destinacioneve të tjera.