Nga Bledi Mane 

Shumica e portaleve dembele në vend mbrëmë kishin postuar të gjithë në seri si lodrat kineze një shkrim të Mira Kazhanit për dramën sociale të këngëtares Parashqevi Simaku. Nuk dua të debatoj pse portalet vjedhin e nuk u skuqet cipa por më trishtoi hipokrizia e gazetares Mira Kazhani.
Kjo e fundit përveçse ka dëgjuar ndonjë këngë të Parashqevisë, kurrë nuk e ka takuar nga afër, as e ka prekur, as ka folur me të, as ia di shkakun e halleve.
Prej Parashqevisë Mira mund të ketë marrë ndonjë emocion provizor zanor dhe vetëm kaq, nuk ka marrë kurrë as zyra për redaksinë e portalit të saj, as pagesa mujore për portalin e saj, as qoka me reklama për portalin e saj, as makinë dhuratë, as tollona nafte për makinën e saj, as favore pushteti për familjarët e saj.
E ndërsa Mira bën sikur qan për Parashqevinë, unë qaj vërtetë për mosmirënjohësit që e rrethonin deri dje Taulant Tushën, një nga drejtorët e arrestuar të Bashkisë së Tiranës. Qaj e i ulëras Spak-ut që ta zhveshin nga akuza për korrupsion e ta ndëshkojnë pse i ndihmoi kaq shumë njerëzit e gabuar, ata të cilët deri dje i lëpinin këpucët dhe sot nuk i dërgojnë një paketë cigare në burgun e Fierit. Mira Kazhani nuk e pi cigaren por të paktën një shkrim për sponsorin e saj duhet ta bënte…
Fatmirësisht sot po bie shi në Tiranë dhe mua nuk më kupton dot askush që nga njëri sy po qaj për Parashqevi Simakun e nga syri tjetër derdh lotët për Taulant Tushën.
Sqarim i nevojshëm/ Unë kam një portal të vogël lajmesh por nuk kam as zyra, as punonjës, as makinë, as sponsora, as reklamues. Nga celulari im postoj lajmet dhe kaq më mjafton!