Kur zyrtarët e Gjykatës së Lartë malazeze erdhën në punë të hënën, zbuluan një vrimë në murin e depos ku mbahen provat. Ata menjëherë thirrën policinë, e cila zbuloi se gropa ishte në fakt hapja e një tuneli që të çonte në një apartament aty pranë.
Sipas mediave malazeze, një tunel mjaft i madh, gërmimi i të cilit duhet të ketë zgjatur më shumë se një muaj, të çon nga gjykata në një apartament në bodrumin e ndërtesës në anën tjetër të rrugës Njegoševa në kryeqytetin e Malit të Zi.
Ai apartament, thanë pronarët e tij, ishte marrë me qira në fund të korrikut dhe aksioni i hapjes së tunelit me shumë gjasa është kryer në gusht, ndërkohë që shumica e punonjësve në administratën shtetërore, përfshirë Gjykatën e Lartë, ishin me pushime.
Personat që kanë marrë banesën me qira, shkruajnë mediat malazeze, kanë përdorur dokumente false. Pronarja e banesës që ua ka dhënë banesën me qira është marrë në pyetje nga policia e Podgoricës dhe ka thënë se nuk i ka njohur më parë qiramarrësit.
Ndërtesat më të rëndësishme të mbrojtura ndodhen në afërsi të banesës dhe godinës së Gjykatës së Lartë: Parlamenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese, Banka Qendrore.
Aktualisht, hetuesit nuk e dinë motivin dhe qëllimin e personave të panjohur që e kanë hapur tunelin për të paktën një muaj.
Grabitje apo përgatitje për arratisje?
Gjatë hetimeve paraprake u zbuluar se disa sende brenda depos ishin të shpërndara përreth. Një hetim më vonë zbuloi se, pavarësisht spekulimeve fillestare, asgjë nuk ishte vjedhur.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviç.
“Ne kemi konstatuar se sendet në depo janë zhvendosur nga vendi i tyre i mëparshëm, por asgjë nuk mungon. Informacioni se diçka është vjedhur nuk është e vërtetë”, tha Saviç.
Rasti i pazakontë ka nxitur spekulimet se kush dhe pse hapi një tunel në sallën e gjyqit ku mbahen dosje të rëndësishme dhe ku janë ruajtur pothuajse dhjetë ton drogë të përdorur si provë vetëm në dy vitet e fundit.
Është gjithashtu interesante se çfarë dokumentesh kanë gjetur të shpërndara në dhomën ku u zbulua hapja. Sipas portalit malazez Vijesti.me, në mesin e dosjeve të kontrolluara ishte edhe ajo që lidhet me rastin ndaj një anëtari të lartë të një klani të njohur kriminal.
Saviç, megjithatë, beson se nuk ishte një grabitje në tentativë, por një përgatitje për një tentativë arratisjeje, pasi aty pranë është edhe një dhomë ku të pandehurit sillen dhe ndalohen para se të hyjnë në sallën e gjyqit: “Ne dyshojmë se objektivi ishte akses i lehtë në gjykata dhe dhoma e paraburgimit”, tha Saviç, duke shtuar se punonjësit e Gjykatës së Lartë gjetën vetëm hapjen e tunelit në një vend të fshehur mirë.
Një sipërmarrje që kërkon fuqi punëtore, makineri dhe para
Duke qenë se hapja e një tuneli të tillë është një sipërmarrje mjaft e madhe dhe e rrezikshme, duket qartë se kërkon fonde, fuqi punëtore dhe organizim të kujdesshëm, çka ndoshta dëshmon se është punë e mafies.
Por punonjësit nuk kanë ndjerë dhe as dëgjuar asgjë, gjë që vë në pikëpyetje sigurinë e gjykatës: “Edhe po të ishin 100 policë rreth godinës, nuk do të mund të parandalonin atë që po ndodh poshtë godinës”, tha Saviç.
Hetimi me siguri do të kishte qenë më i lehtë nëse do të gjendej mjeti i përdorur për gërmimin e tunelit, por “minatorët” e panjohur morën me vete të gjitha pajisjet pas kryerjes së punës. Megjithatë, në tunel u gjetën disa sende nga të cilat, shpresojnë hetuesit, do të mund të nxirret materiali i ADN-së së autorit.