“Më ke prishur banesën, duhet të më paguash,“-mesazhe të ngjashme i kanë shkuar në telefon ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe biznesmenit, Vladimir Kosta. Ky i fundit, i ndjerë i kërcënuar, ka shkuar dhe ka bërë një kallëzim në Policinë e Shtetit për shantazh dhe kërcënim. Pasi është bërë kallëzimi, i instruktuar nga Policia e Shtetit, Kosta ka lënë takim me personin që e kërcënonte në zonën e Saukut në Tiranë.
“Ky shtetas dyshohet se, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur një 60-vjeçar për dhënie pasurie, me pretendimin se ky i fundit i ka dëmtuar atij banesën,“-bën me dije Policia.
Takimi ishte lënë mbrëmjen e djeshme, tek i cili Kosta kishte shkuar i shoqëruar bashkë me punonjës policie. Por 24-vjeçari, i identifikuar si Selman Totraku ka arritur t’i identifikoje agjentët dhe ka tentuar që të largohet me vrap. Megjithatë tentativa e tij për t’u arratisur shkoi kot pasi përfundoi në prangat e Policisë.
Gjatë kontrollit fizik, 24-vjeçarit i janë gjetur dy kaçavida. Tashmë, ai do të përballet me veprën penale: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.