Kur kanë kaluar 6 muaj e gjysmë nga zhdukja e tij, nëna e Ulvi Skanes, Thëllëza i ka humbur shpresat se ai mund të jetë gjallë. Nga pista e rrëmbimit, ajo thotë se fakti që nuk ka asnjë gjurmë të re nga djali, e bën të mendojë se ai është vrarë.
Në një rrëfim në ‘Pa Gjurmë’, Thëllëza thotë se kërkon nga policia vetëm ta gjejë “të gjallë ose të vdekur”. Edhe pse shpresat i ka humbur, e ka të vështirë të besoj se pse ai duhet vrarë, pasi si çdo nënë, edhe për të , djali është krejtësisht i pafajshëm. Lidhjet me Ervis Martinajn, edhe ky i zhdukur, thotë se nuk janë të vërteta. I vetmi “faj” thotë se ka qenë shok me Can Karriqin që e kishte fqinj.
“Si ka mundësi që të humbasë në atë farë feje. Djali nuk ka pas lidhje me grupet kriminale, jam 100% e sigurt, na e kanë njollosur edhe emrin, ai nuk është vrasës, vjedhë jo.
Ai kishte 3 ditë pasi kishte ardhur nga Belgjika. Prishi disa lekë që ia kishte dhënë vëllai i vet, dhe rrinte si i urtë. Ndenji nja 12 ditë në Belgjikë, nuk gjeti punë dhe erdhi,. Ka qenë dhe në Gjermani, kishte marrë ekspuls, por ne ia hoqëm. Shkoi te një shok që i kishte marrë disa lekë borxh, nuk e dimë se cili ka qenë ky shok.
Can Karriqi e kemi pasur në lagje. Vëllai i vogël i bërtiste shumë, ishte i miri i shoqërisë dhe i keqi i shtëpisë. Nuk punonte, nuk ka pas lekë. Nuk më ka sjellë asnjë problem te shtëpia. Oh sa e vuaj humbjen e tij. Unë si nënë flas kot, se nuk e di a e kam gjallë, përderisa nuk më jepet asnjë pistë. Mund të ketë bërë edhe ndonjë gjë, nuk e di. Policia na thotë vetëm bëjmë hetimoret tona, po më jepni dhe mua një të dhënë që të më qetësohet shpirti. Ja gjallë ja vdekur, e kam të pafajshëm. Thonë që ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, po unë nuk e kam parë. S’e njeh fare Ervis Martinin. Ik mos ma përmend, edhe kur u vra dikush në Laprakë, ai ka qenë në gjumë, me Can Karriqin, e kemi pasur fqinj”, tregon e ëma.
Prej datës 17 maj, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç ka humbur gjurmët. Dyshohet se Skana ka qenë mik i ngushtë i Can Karriqit i vrarë në 23 dhjetor 2021 dhe kjo është një nga pistat e ti kryesore ku po hetohet, ndonëse nuk ka asnjë të dhënë të re. Can Kariçi u ekzekutua në Kodër Kamëz më 23 dhjetor 2021, i cili po lëvizte me një ‘Golf 5’ në momentin kur është qëlluar. Edhe në mjetin e viktimës është gjetur një armë tip pistoletë. E kaluara e tij është edhe pistë e hetimit nga prokuroria për ekzekutimin e 30-vjeçarit. Hetimi po bëhet edhe nëse Kariçi mund të ketë pasur konflikte me autorët apo nëse ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dyfishtë të Eriges Mihasit dhe Armand Dumanit në muajin nëntor në Astir, pasi Kariçi ka qenë mik i Mihasit.