Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka refuzuar që të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë shqiptare që e akuzon për një sërë ngjarjesh.

Në seancën e sotme gjyqësore të zhvilluar në Spanjë, Lulzim Berisha i kërkoi Gjykatës Kombëtare të Spanjës që mos të lejojë ekstradimin e tij në Shqipëri, me argumentin se i druhet një hakmarrje të mundshme për shkak të veprimeve të tij në të kaluarën.

Lulzim Berisha e bëri të qartë se nuk dëshiron ekstradimin në vendin tonë. Ai tha se ka frikë për jetën nëse kthehet në Shqipëri, i cili deklaroi se në të kaluarën ka rënë pre e 4 sulmeve dhe i është goditur shtëpia me antitank.

Berisha e ka përshkruar veten si një sipërmarrës, ndërsa familjen e ka larguar në Suedi për shkak të frikës nga hakmarrja.

Nga ana tjetër, autoritetet spanjolle deklaruan se nuk ka rrezik për hakmarrje nëse Lulzim Berisha u dorëzohet autoriteteve të drejtësisë shqiptare që e kërkojnë, SPAK në rastin konkret, raporton “Europa Press”.

Avokatët e Lulzim Berishës i kërkuan gjykatës spanjolle që të mos lejojë ekstradimin e tij në Shqipëri, por dënimin ta vuajë në atë shtet.

Lul Berisha u arrestua në Spanjë në Dhjetor 2023 në qytetin Alikante.

KALVARET GJYQËSORE TË LULZIM BERISHËS:

Në 2012, Lulzim Berisha u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.

Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.

Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.

Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg.

Në Maj 2024, Lulzim Berisha ishte ndër personat për të cilët SPAK kërkoi arrestimin në lidhje me një procedim penal.