Kur ishte i ftuar në “Goca & Gra” në fund të janarit, producenti Edi Manushi – pasi iu kërkua që të telefononte moderatoren Alesia Bami për një rreng të vogël – nxori një telefon me butona që për shumë njerëz sot i përket të kaluarës. Megjithatë, sado e çuditshme të duket, jo pak njerëz po u kthehen telefonave të vjetër dhe jo vetëm për nostalgji.
Këta telefona njihen si “dumbphones”, pra “telefona budallenj” si e kundërta e termit për telefonat inteligjentë që ne përdorim në ditët e sotme – smartphone. Mirëpo shumë njerëz janë të mendimit se telefonat e vjetër vërtet mund të mos jenë “të zgjuar”, por janë “të aftë”. Kërkimet në Google për dumbphones u rritën me 89% midis viteve 2018 dhe 2021, sipas një raporti nga firma softuerike SEMrush. Vitin e kaluar, në mbarë botën u shitën 1 miliard pajisje të tilla, në krahasim me 400 milionë në vitin 2019.
Një studim i vitit 2021 nga grupi i kontabilitetit Deloitte tha se 1 në 10 përdorues të telefonave celularë në Mbretërinë e Bashkuar kishte një telefon të tillë. Ekspertë të teknologjisë vënë në dukje se vështirë që këta celularë të konkurrojnë me modelet më të fundit premium të Apple dhe Samsung kur bëhet fjalë për performancën ose funksionalitetin, megjithatë mund të shkëlqejnë në fusha të rëndësishme si jetëgjatësia – kujtoni Nokia 3310 – dhe qëndrueshmëria e baterisë.
Pesë vjet më parë, Przemek Olejniczak, një psikolog, e ndërroi telefonin e tij inteligjent me një Nokia 3310, fillimisht për shkak të baterisë më të gjatë. Megjithatë, ai shpejt e kuptoi se kishte përfitime të tjera, raporton BBC.
Ekspertja e teknologjisë, Prof Sandra Wachter, një studiuese e lartë në inteligjencën artificiale në Universitetin e Oksfordit, thotë se është e kuptueshme që disa prej nesh janë në kërkim të telefonave celularë më të thjeshtë.
“Telefoni inteligjent është qendra juaj e argëtimit, gjeneratori i lajmeve, sistemi i navigimit, ditari juaj, fjalori, portofoli etj,” thotë ajo. “Telefonat inteligjentë gjithmonë dëshirojnë të tërheqin vëmendjen tuaj me njoftime, përditësime dhe lajme të fundit që vazhdimisht ju prishin ditën. Kjo mund të jetë shqetësuese.”
Prof. Wachter shton: “Ka kuptim që disa prej nesh tani janë në kërkim të teknologjive më të thjeshta dhe mendojnë se telefonat e thjeshtë mund të ofrojnë një kthim në kohërat më të thjeshta. Mund të sjellë më shumë kohë për t’u përqendruar plotësisht në një detyrë të vetme, madje mund t’i qetësojë njerëzit. Studimet kanë treguar se shumë zgjedhje mund të krijojnë pakënaqësi.”
Patjetër që kanë ndikuar edhe shqetësimet në rritje që kanë njerëzit në lidhje me privatësinë që shpeshherë shkelet nga aplikacionet e telefonave të fundit. Njerëzit që i kanë zëvendësuar telefonat inteligjentë me një celular më të thjeshtë thonë se mund të telefonojnë dhe të dërgojnë mesazhe dhe, nëse keni një kompjuter, kjo është me të vërtetë gjithçka që ju nevojitet