Elvira Tahiraj, 49-vjeçarja që vrau bashkëshortin e saj Llazan Tahiraj me sëpatë orët e para të mëngjesit të 24 dhjetorit në Sarandë, ka pranuar krimin. Madje ajo ka dëshmuar para autoriteteve se kishte tentuar edhe një herë për ta vrarë, por nuk ka treguar arsyen se pse ka kryer krimin.

Mësohet se ka qenë vajza e çiftit ajo që e ka gjetur të atin rreth orës 08:00 të pajetë. Menjëherë ajo ka kërkuar nënën  dhe e ka gjetur në derën e jashtme të shtëpisë. Më pas ajo ka telefonuar ka telefonuar të motrën duke i rrëfyer se çfarë kishte ndodhur.

Sipas një fqinji, 49-vjeçarja kishte rreth orës 04.00 të mëngjesit që rrinte jashtë tek dera.

“Unë u ngrita për të shkuar tek shtëpia e babait tim që ishte i sëmurë dhe e pashë atë që rrinte tek dera dhe nuk reagoi fare kur kalova. U habita po nuk më shkoi në mend se çfarë mund të kish ndodhur”, u shpreh ai.

Sipas mjekut ligjor të Sarandës viktima është goditur në kokë dhe kishte shumë rrjedhje gjaku. Megjithatë trupi do të dërgohet në Mjekësinë Ligjore në Tiranë.

Elvira Tahiraj dyshohet se vuante nga probleme të shëndetit mendor, por ajo që ka dalë nga dëshmitë e para për ngjarjen dhe sipas rrëfimit të saj, mes çiftit ka pasur një konflikt.