Gazetari Artan Hoxha ka komentuar arrestimin në Malpensa të Italisë së “Leksit të druve”, një personazh shumë të përfolur përgjatë viteve të fundit në zonën e Lezhës.
Artan Hoxha u shpreh se Aleks Ndreka, alias Aleksandër Deda është një person për të cilin SPAK ka interes.
Sipas Hoxhës, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka si qëllim që ta kthejë në një “të penduar” në mënyrë që të tregojë për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Lezhë dhe jo vetëm.
“’Leksi i druve’ është personazh që u bë i rëndësishëm pas operacionit të fundit “Revanshi” me mbi 50 masa arresti. SPAK nuk u kufizua vetëm te bisedat e kriptuara, por duhet të kesh një dosje dhe asaj t’i bashkëngjitësh edhe bisedat e kriptuara që të marrin vlerë.
“Revanshi” nisi pas atentatit të bërë ndaj Aleksandër Dedës më mars 2022. Ky ka qëndruar kohët e fundit në Spanjë, por u kap në aeroportin e Malpensas. Ky është arrestuar për operacionin “Metamorfoza’ se akuzohet se ka krijuar kushtet për një atentat në Shkodër.
Është tentuar të vritet 3 herë me dron.
Ka patur miqësi me ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka. Të ndërhynte te Durim Bami për të sqaruar rolin e tij për vrasjen e Aleksandër Ndokës.
Ndokët dyshojnë se ai ka qenë i përfshirë në vrasjen e Aleksandrit. Pas atentatit ai u mor në mbrojtje nga policia ndaj u tentua të vritej me dron. Ai ka dhënë informacione për SPAK-un për veten dhe për kundërshtarët e tij. SPAK kërkon që ta kthejë në bashkëpunëtor për ngjarjet që kanë ndodhur në “trekëndëshin e Bermundës”, Lezhë-Krujë-Shijak”, tha Hoxha në emisionin “Të Paekspozuarit”.
Kush është “Leksi i druve”?
Aleksandër Deda, 47 vjeç, është një personazh i njohur në Lezhë, ku njihet si biznesmen. Deri para vitit 2020, emri i tij nuk ishte dëgjuar pasi nuk kishte pasur probleme me Policinë e Shtetit. Por kjo deri në dhjetor të atij viti, pasi ndaj tij u organizua një atentat që nuk do të ishte i pari për të. Disa të tjerë pasuan, madje një tentativë për vrasjen e tij u planifikua edhe me dron.
Me “çmontimin” e dosjes “Revanshi”, u zbulua edhe arsyeja se përse ndaj tij ishin organizuar disa prita për ta ekzekutuar. Arsyeja ishte se ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dyshonte se “Leksi” kishte gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrit.
Për Ndokën, Ndreka dhe një biznesmen tjetër nga Lezha, tashmë i vrarë, Ardian Nikulaj kishin ‘pajtuar’ Durim Bamin për t’i ekzekutuar të vëllanë. Ndaj në dosje, zbulohen planet që Ndoka bënte për të hequr qafe “të fortin e Niklës”, por edhe Ndrekën.
Fillimisht në vitin 2020 në superstradën Lezhë-Laç, ai u plagos në gjoks me armë zjarri, më pas në mars të vitit 2022 u tentua sërish vrasja e tij, por shpëtoi nga një xhup i fryrë dhe me pupla, ndërsa më pas eliminimi i tij u tentua edhe me dron. Planet e thurura kundër tij nuk patën asnjëherë sukses.