SPAK është duke vepruar me dorë të hekurt ndaj kryebashkiakëve që bëjnë shkelje me tenderët si edhe administrimin e territorit.
Tani është duke bërë burg Fatos Tushe i Lushnjes për një tender kanali, ndërkohë që Lefter Alla u arrestua pak ditë më parë për tenderin e ujësjellësit, ndërsa sot ishin pranë zyrave të SPAK Bushi i Krujës dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Mirëpo, duket se kryebashkiakët nuk po tremben duke firmosur sërish mbi tendera pa konkurrencë me procedurë të dyshimtë.
Një i tillë është tenderi i organizuar nga Bashkia e Tropojës me vlerë rreth 120 milionë lekë për blerje karburanti. Tenderi ka nr reference REF-59166-02-15-2023 dhe është shpallur me flamur të kuq nga Open Procurement Albania pasi nuk ka konkurrencë.
Gazeta Jonë mëson se për këtë tender është shpallur fitues kompania “Kastrati” duke mos patur ofertues të tjerë. Pavarësisht kësaj, KVO ka shpallur fitues Kastratin edhe pse duhej që tenderi të kishte edhe pjesëmarrës të tjerë.
I çuditshëm është edhe shënimi: “Nga momenti i nenshkrimit te kontrates deri ne ezaurimin e plote te sasise se prokuruar, ne baze te fondit limit” në lidhje me kohëzgjatjen e tenderit ç’ka lë dyshime se nafta mund të përdoret për fushatë dhe jo për të gjithë vitin sipas nevojave që ka institucioni.
SPAK po bën një punë të mirë me kryebashkiakët, por ka aq shumë abuzime sa do të duheshin edhe më tepër prokurorë. /Gazeta Jonë