Natasha Rombula dhe djali i saj Armando Kumaraku, ishin të fundit në listën e personave që ranë na pranga, për veprimtari kriminale që lidhen me keqpërdorimin e rrjetit social TikTok, që në muajt e fundit ka prodhuar disa ngjarje të rënda. ‘Tasha’ e cila së bashku me djalin e saj shfrytëzonin për para një fëmijë 10-vjeçar, ishte bërë e famshme për ndjekësit, pikërisht për shkak të videove që ajo postonte, ku i mituri përdorej për të fituar para.
Pasi e merrnin për pushime të miturin nga nëna e tyre, Tasha dhe djali i saj kishin ndikuar rëndë psikologjinë e të miturit, aq sa ai përdorte fjalor agresiv dhe banal me bashkëmoshatarët e tij. Kjo sjellje u denoncua në komisariat nga ish-nusja e familjes, që çoi më pas dhe në arrestimin e Tashës dhe djalit të saj. Por Tasha fatkeqësisht nuk është e vetmja….
Nëse bën një scroll në rrjetet sociale, e veçanërisht në TikTok, raste si ai i Tashës janë të shumta, ku shpesh përdoren edhe fëmijë me probleme të shëndetit mendor, apo aftësi të kufizuara. Shumë prej këtyre fëmijëve, nxirren në video live, në situata të vështira për të fituar para, pa menduar për privatësinë e tyre, apo rëndimin e gjendjes psikologjike. Si një person me pamundësi fizike e mendore, do të trajtohej deri pak kohë më parë edhe Altin Çoku, i cili u vu në prangat e policisë së Tiranës pas vetëvrasjes së 27-vjeçares Sibela Abedini. Çoku ngjashëm me Tashën, apo të tjerë si puna e tyre, dilnin në video, për të kërkuar gifte, në dukje para për të mbijetuar, por të siguruara në mënyra të paligjshme.
Vetëvrasja e Abedinit, ishte e disata në harkun kohor të pak muajve, të cilat ZËRI i ka raportuar dhe më herët. Bedrie Loka, Bruna Myzeqari dhe Fatbardha Pali, ishin më herët viktimë e bullizmit në rrjetet sociale dhe për pasojë i dhanë fund edhe jetës, në rrethana pothuajse të ngjashme.