Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje lidhur me arrestimin e prokurorit Aurel Zarka, ndaj të cilit rëndojnë 3 akuza.
SPAK ka bërë njoftimin e parë zyrtar pas arrestimit të kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, prokurori i Vlorës ka ndërhyrë disa herë për zbutjen e akuzave të të akuzuarve për dosjen “Toyota Yaris”. Me ndihmën dhe ndërhyrjen e Zarkës, Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për 3.4 mln eurot e gjetura në Portin e Durrësit në një automjet “Toyota Yaris” 6 vite më parë, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
PJESË NGA NJOFTIMI I SPAK:
Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të drejtësisë dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme:
Procedimin penal nr.130, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal;
Procedimin penal nr.71, të vitit 2020, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë; Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe nga Prokuroria e Posaçme;
Procedimin pasuror nr.1, datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri
Çfarë është dosja “Toyota Yaris”
Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e 3.4 milionë eurot. Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit. Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit. Balla e fitoi gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje.