Hasi dhe Kukësi janë dy qytetet me emigrim më të madh në Angli, ku të rinjtë fijojnë të largohen drejt “tokës së premtuar”.

Madje, Ambasada Britanike në Tiranë ka bërë disa programe se si të frenojë këtë fenomen, duke ndihmuar bashkitë apo edhe bizneset për vende të reja të punës.

Por sërish ka largime, aq sa gjatë verës, kur kthehen emigrantët, rrugët e dy qyteteve veriore mbushen me automjete me targa angleze, aq sa duket se kjo krahinë nuk është e Shqipërisë por një rajon anglez.

Por, çfarë bën pushteti lokal që të mbajë rininë?

Në vend që zyrtarët apo këshilltarët bashkiakë të angazhohen për hartimin e politikave të vendeve të punës, për ndihmën e familjeve vendase, këta zyrtarë duan të “emigrojnë” edhe vetë në Angli.

Dikush për të takuar të afërmit, të tjerë për turistë apo edhe për shoping. Por, udhëtimet nuk po bëhen me paratë personale të zyrtarëve lokalë, por me të ardhurat e bashkisë së vogël.

Çudia në Has/ Bashkia bën tender 10 mijë euro për

Faksimile: Tenderi i shpallur nga Bashkia e Hasit për udhëtimin e këshilltarëve në Uells dhe Angli

Dokumenti i mësipërm është një tender që ka hapur Bashkia e Hasit. Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, kryetari i Bashkisë së këtij qytetit Miftar Dauti, ka urdhëruar bërjen e këtij tenderi me procedurën e prokurimit me vlerë të vogël me fond limit 833,333 lekë, ku me TVSH shuma shkon në rreth 10 mijë euro.

Objekti i tenderit është “vizitë studimore e këshilltarëve të Bashkisë Has”, ndërkohë që tenderi është bërë në datën 14 nëntor 2024.

Në të njëjta dokumente shkruhen edhe specifikimet teknike të shërbimit, ku kërkohet bileta vajtje – ardhje për 21 persona, në datë 28-30 Nëntor 2024. Goxha data të përzgjedhura, që kanë të bëjnë me festën e Çlirmit dhe Pavarësisë.

Duket se, kjo nuk është një vizitë studimore, por një vizitë turistike e këtyre këshilltarëve për në Angli, që përkojnë me festat e nëntorit.

Bashkia e Hasit ka bërë edhe një axhendë për këshilltarët, ku kërkohet lëvizja nga Tiranë për në Uells, fillimisht vendi i takimit “Pentypool and Usk” në Uells.

Nisja do të bëhet në datë 28 nëntor, nga Rinasi për në Uells, një natë qendrimi në hotel dhe në datë 29 nëntor 2024 takimi nga ora 10:00- 16:00.

Pas takimit, udhëtimi nga Uellsi për në Londër dhe më pas në hotel si dhe shëtitje.

Në datë 30 nëntor kërkohet vizitë në vende të ndryshme të Londres dhe në darkë udhëtimi drejt aeroportit për kthim në Shqipëri.

Urgjenca e bashkisë duket në këtë dokument, pasi shkruan se “brenda 30 minutash nga shpallja e fituesit, në sistem duhet të kontaktojë me Bashkia Has nëpërmjet sistemit elektronik (menusë së mesazheve) për të marrë përsipër detyrimin dhe te dergoje itinerarin ose për të njoftuar për arsyet e pamundësisë së realizimit të objektit, në të kundërt do të skualifikohet”.

Dhe, afati i lëvrimit të shërbimit/realizimit do të jetë brenda 1 ore nga momenti i shpalljes se fituesit.

Duket se ky udhëtim është një shpërdorim i pastër i parave publike, pasi udhëtimi nuk është për punë por turistik.

Dhe të dërgosh 21 persona, me transport, ushqim dhe fjetje, është një abuzim i pastër me detyrën. /voxnews