482321063_969580855368940_6284284988094094392_n

Një tjetër kullë do të zërë vend në ish-Bllok duke i ngushtuar më tej hapësirat kësaj zone me intensitet të mbingarkuar ndërtimi.

Kulla, e cila është quajtur “Grey Moon Tower”, parashikohet të jetë 18 kate e lartë dhe me 4 kate parking nëntokë krah rrugës “Sulejman Delvina”. Ajo është porositur nga “Babasi Coo shpk”, e sipërmarrësit Ndriçim Babasi dhe është projektuar nga “X Plan Studio” për banim dhe shërbime.

Në total “Grey Moon” pritet të ketë rreth 10,500 m2 ndërtim. Ky projekt tejkalon zhvillimin e parashikuar më parë nga Bashkia Tiranë me Planin e Përgjithshëm Vendor (PPV), që për zonën parashikonte ndërtim deri në 7 kate lartësi.

Për të tejkaluar këtë “pengesë” Babasi iu drejtua qeverisë, e cila i mundësoi “një përjashtim nga PPV” me lejen e ndërtimit të miratuar më 2 korrik 2024. Kjo manovër për të tejkaluar rregullat e zhvillimit është analizuar dhe përshkruar edhe më herët nga Citizens.

Ilustrim nga projekit i Grey Moon

Në fakt në zonën e ish-Bllokut rezultojnë edhe 12 projekte të tjera kullash në zhvillim, të cilat e kthyen “përjashtimin nga PPV-të” në normë.

Babasi, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-President i Klubit të Futbollit Tirana, njihet si sipërmarrës në sektorin e guroreve, ndërtues pallatesh dhe kompleksesh rezidenciale.

Ai ka përfituar leje shfrytëzimi në disa zona të Krujës dhe Shkodrës ndërsa është aksioner kryesor në kompaninë “Vlora Stone”, e cila shfrytëzon një zonë për nxjerrje guri në Vranisht.

Paralelisht Babasi rezulton ortak me vëllezërit Artan, Adrian dhe Genci Dulaku – përmes kompanisë “Alba Beton” – në ndërtimin e kompleksit turistik “Gone Perivol” në Dhërmi dhe Livadh të Himarës.

Kompania e tij – në bashkëpunim me Klajger Konstruksion të Sadik Lumit, – përfitoi dy tenderë me vlerë 1.8 milionë euro në proceset e shembjeve dhe pastrimit të inerteve të ndërtesave që u dëmtuan nga tërmeti i vitit 2019 në Krujë.

Babasi, bashkë me ish-deputetin Tom Doshi, ishin sipërmarrësit që në vitin 2015 blenë truallin e lokalit të njohur “Bar Rovena”, në të cilin u ngrit në mënyrë të diskutueshme “Reibow Center – Cube of Blloku” nga Invest Society e sipërmarrësve Dajlan Avdia, Glendi Abdi dhe Edison Hatellari.

Pamje e kullës sipas renderit

Kulla e Babasit, “Grey Moon” ka nisur të ndërtohet. Kantieri është rrethuar dhe është nisur të gërmohet. Ndërtesa 18-katëshe po ngrihet në zonën ku dikur ishte një dyqan dykatësh për dekore dhe një hapësirë që shfrytëzohej si parking.

Ish-Blloku shtrihet në rreth 50 hektarë truall. Plani urbanistik i Bashkisë Tiranë e ndan në 30 njësi strukturore, duke përfshirë rreth 340 ndërtesa. Mes tyre, 20 janë përcaktuar si objekte me rëndësi të veçantë dhe 15 “Monument Kulture”.

Nga 30 njësitë strukturore, vetëm 3 kanë Plane të Detajuara Vendore. Pjesa tjetër ka pësuar ndryshime të thella përmes ndërhyrjeve nga KKT, shpesh në kundërshtim me idenë e përgjithshme të zhvillimit parashikuar nga PPV.

Zhvillimi urban ka sjellë ndryshime të paprecedenta në ish-Bllok, duke ngritur pyetje mbi vizionin afatgjatë të qytetit dhe përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të Tiranës.

/Citizens.al