Nga Lutfi Dervishi
Në verën e vitit 2023, nga Vermoshi në Konispol nuk flitej gjë tjetër veç për lajmin e madh: çdo shqiptar do të bëhej sheik. Uau!
Me fjalë që do ta bënte edhe Nostradamusin të skuqej nga zilia, Kryeministri, në gusht të 2023, (pas inspektimit në kantier), deklaroi se nafta e zbuluar në zemrën e Shpiragut nuk ishte thjesht naftë si gjithë të tjerat. Jo! Kjo ishte nafta më e virgjër, më e pastër, më premium se vetë nafta e Arabisë Saudite! Dhe kjo kishte dalë nga laboratorët e Holandës, e testuar, e bekuar dhe e miratuar për t’u derdhur direkt e …në llogaritë bankare të shqiptarëve. Mbetej, vetëm një formalitet, një test i vogël dhe Shqipëria do të ishte zyrtarisht superfuqi… nafte.
Për t’i hedhur shërbet ëndrrës, qeveria paralajmëroi po atë ditë edhe një Fond Sovran. Model norvegjez. Kur bëhet fjalë për pasuri marramendëse, ne nuk mund të krahasohemi me Nigerinë, por me Norvegjinë. E kemi dhe afer, Jo per gje! Pensionet do të rriteshin, arsimi do të shpërthente në inovacion, shëndetësia do të bëhej si në Vjenë, Shqipëria do të bëhej si Zvicra dhe, madje, do të kishte para për të bërë incinerator në çdo qytet.
Edhe me naftën u përsërit i njëjti film që është parë me dhjetëra herë: premtimet ia lanë vendin…premtimit.
Më 6 shkurt të vitit 2025 (dje), ëndrra u prish. SHELL, kompania që do të na bënte të pasur, tha se shpenzoi 1.1 miliardë Euro pa rezultat.
Në vend të një lumi nafte, Shpiragu rezultoi një vrimë e zezë nga ku mund të nxirret “ari i zi”, por siç thonë durrsakët: “e lirë është kripa në Durrës, por e ha qiraja rrugës.
Fondi Sovran? Edhe pse kaloi në procedurat e famshme të Harvardit dhe u studiua me kujdesin e një studenti një natë para provimit, fondi mbeti një hologram që u zhduk bashkë me shpresat. Iku fondi, po mbeti Sovrani! Në vend të pensioneve më të larta, tani kemi bonusin pranveror.
Dikush mund të thotë zhgënjim. Por është gjetur dhe formula magjike për të menaxhuar zhgënjimin kolektiv. Një premtim i ri i radhes!
Në Shpirag doli Noc Rroku. Por tani shpresat i kemi te hidrogjeni në Bulqizë!
Si pëfundim, nuk morëm naftë premium, por ama premtimet ishin dhe do të jenë premium. Lum si ne!