Gazetarja Ola Xama ka publikuar shifrat e Censit të vitit 2023, për godinat e banimit, sipas të cilave rezulton se në qarkun Tiranë janë 85.457 shtëpi të pabanuara, ndërsa në bashkinë Tiranë janë 52.871 shtëpi. Me anë të një postimi në Facebook, Xama thekson se sipas shifrave vetëm që të mbushen 52.871 banesat që janë bosh dhe ritmi i rritjes së popullsisë të mbetet i pandryshuar, do të duhen 45 vjet. Po ashtu Xama e ka konsideruar këtë si një krim ekonomik, mjedisor dhe social i cili duhet ndaluar sa më parë.

Postimi i Xamës:

Sipas të dhënave të sapo publikuara të Censusit 2023 në nivel qarku dhe bashkie, rezulton se në qarkun Tiranë janë 85 457 shtëpi të pabanuara, ndërsa në bashkinë Tiranë janë 52 871 shtëpi. Të dhënat e publikuara duke patur si tregues konsumin e energjisë 1 vit më parë, konstatuan se afërisht 51 mijë banesa në kryeqytet janë bosh. Këto shifra u kundërshtuan në dhjetra mënyra, duke i ndarë herë në njësi tregtare, herë në shtëpi të braktisura, e herë duke thënë se kemi shtuar lidhjet e kontratave të ujit.

Tashmë është zyrtare nga vetë INSTAT: numri i popullsisë në kryeqytet është rritur me 40.754 banorë (2011-2023), ose mesatarisht 3.396 banorë në vit. Pjestuar për 3 që është numri mesatar i anëtarëve të familjeve për Tiranën, qytetit nuk i shtohen dot më shumë se 1.132 familje në vit, ndërsa volumi i lejeve të ndërtimit që jepet për rezidenca banimi shton ofertën çdo vit me të paktën 8 mijë shtëpi. Vetëm që të mbushen 52 871 banesat që janë bosh, sikur ritmi i rritjes së popullsisë të mbetet i pandryshuar, do të duhen 45 vjet! Ajo që kanë bërë me ndërtimin është krim ekonomik, mjedisor, shëndetësor dhe social. Mos e thelloni më krimin.