![Screenshot_9-4](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot_9-4.jpg)
Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale ka ngritur dyshime mbi një takim mes kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, dhe prokurorit të SPAK-ut, Arben Kraja. Në imazhin e shpërndarë, dy zyrtarët shfaqen duke drekuar në një restorant, ndërkohë që Beci ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ky fakt ka ngjallur shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi, pasi Kraja është një nga drejtuesit e hetimeve për rastin e Becit.
Benet Beci ka qenë disa herë i pranishëm në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje lidhur me dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Megjithatë, ai ka refuzuar të japë komente për mediat pas këtyre seancave, ndërkohë që në opinionin publik ka pasur spekulime edhe për një dorëheqje të mundshme, të cilën ai vetë e ka mohuar.
Takimi i tij me Arben Krajën ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e bisedës mes tyre, duke pasur parasysh se dyshja njihen prej kohësh. Nuk dihet nëse ky takim ishte i natyrës miqësore apo lidhej me çështjen hetimore në të cilën Beci është përfshirë.
Lidhjet mes Arben Krajës dhe rrjetit politik
Takimi mes Becit dhe Krajës ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të lidhjeve të mëparshme të prokurorit të SPAK me pushtetin lokal. Entela Lleshi Kruja, mbesa e tij, ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të besuara të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, tashmë i arrestuar. Gjatë drejtimit të Veliajt, ajo mbante një post kyç si shefe e prokurimeve në Bashkinë e Tiranës.
Si përfundoi Benet Beci në hetimet e SPAK?
Hetimet ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, zbuluan implikime të mundshme edhe për Benet Becin, në kohën kur ai ishte drejtor i përgjithshëm i KESH. Gjatë kontrolleve, prokurorët sekuestruan telefonin e bashkëshortes së Berberit, A. Ruko, ku zbuluan mesazhe komprometuese që lidhnin dy zyrtarët me një tender të dyshimtë.
Një prej mesazheve më flagrante, i dërguar nga Berberi për Becin, përmendte ndarjen e fondeve nga një tender me vlerë 832 mijë euro për një studim të strategjisë energjetike. Në mesazh thuhej: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”
Më vonë, hetuesit konfirmuan se ky prokurim ishte realizuar pikërisht sipas këtij skenari. Ky dhe elementë të tjerë të zbuluar gjatë hetimeve kanë përforcuar dyshimet mbi përfshirjen e Becit në një skemë të korrupsionit të nivelit të lartë./gazetajone