Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në Vlorë, ku si pasojë u dëmtuan banesa dhe bieznese. Një nga banoret që iu përmbyt shtëpia tha se ka humbur gjithçka. 44-vjeçarja Vjollca Goxhaj tashmë po qëndron para perfekturës së Vlorës duke pritur ndihmë, pasi së bashku me 4 vajzat e mitura ka mbetur jashtë dhe është pa shtëpi.
Mes trishtimit ajo kërkoi një vendstrehim pasi më parë jetonte me qera, por tani për shkak të përmbytjeve nuk mund të shkoj më në banesën e saj.
“Ka ardhur uji deri në brez, shtëpia u mbyt komplet. Kërkoj strehim. Jetoja me qera, nuk kam asnjë lloj ndihme. Kam 4 vajza të mitura. Besoj se do më ndihmojnë”,shprehet Vjollca.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit.