Është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe shumë dietologë thonë se është edhe vakti që braktiset më tepër. Por të braktisësh mëngjesin nëse do të biesh nga pesha është vendimi më i gabuar që mund të marrësh. Metabolizmi ka nevojë për të djegur yndyrën dhe për të ushqyer muskujt dhe një ditë e mirë dhe e shëndetshme duhet të nisë me një mëngjes të shëndetshëm. Këtu janë disa arsye pse duhet ta nisësh mëngjesin me tërshërë.
Të mban të ngopur
Sipas një studimi nga Kolegji Amerikan i Nutricionistëve, tërshëra ishte e para në grupin e drithërave që krijonin një gjendje të ngopuri. Të gjithë njerëzit që hëngrën tërshërë në mëngjes ishin më pak të uritur se pjesa tjetër që hëngrën drithëra të tjera. Të dyja grupet kishin një mëngjes me 363 kalori, por grupi që hëngri tërshërë e shtynë më vonë vaktin e drekës, meqë nuk kishin uri.
Përmban më pak sheqer
Në krahasim me të gjitha drithërat, tërshëra ka një përmbajtje më të ulët të sheqerit. Megjithatë, tërshëra bëhet shumë e shijshme duke i shtuar kos dhe fruta për ta bërë mëngjesin edhe më të shëndetshëm dhe me përmbajtje sheqeri të ulët.
Është e pasur me fibra
Një dietë e pasur me fibra mund të të ndihmojë të biesh nga pesha, sepse të mban në gjendje të ngopur. Vetëm një gjysmë filxhani me tërshërë përmban katër gram fibra. Pra, një sasi e mjaftueshme që të mos të ndiesh uri deri në drekë.
Është një ushqim me pak kalori
Tërshëra është e njohur si një ushqim që ka pak kalori dhe yndyra. Mjafton vetëm një gjysmë filxhani çaji, i cili përmban 150 kalori dhe 3 gram yndyrë. Prandaj, edhe veten do ta ndiesh më të lehtë nëse çdo ditë e nis me tërshërë.
Është e pasur me proteina
Duke e përzier tërshërën me qumësht çdo mëngjes, mund t’i shtosh proteinat vaktit. Proteinat, janë një pjesë vitale nëse do të humbasësh peshë, sepse ato të ndihmojnë të ndihesh gjithmonë e ngopur.
Ndihmon diebetikët
Nëse do të biesh nga pesha, por ke ndjeshmëri të lartë ndaj glukozës, tërshëra është zgjedhja e duhur për dietën. Studimet thonë se njerëzit që vuajnë nga diabeti mund të hanë pa frikë tërshërë dhe të ndihen edhe më të shëndetshëm pa pasur probleme.
Të jep energji
Kjo është një ndër arsyet themelore pse njerëzit janë të dashuruar me tërshërën dhe e konsumojnë atë sidomos në mëngjes. E pasur me proteina dhe fibra, një mëngjes me tërshërë do të të japë të gjithë energjinë që do të të duhet përgjatë gjithë ditës.
Forcon sistemin imunitar
Nëse je e ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturave, është e thjeshtë të ndërpresësh aktivitetin fizik dhe të fillosh të hash ushqime të pashëndetshme. Për fat të mirë, tërshëra përmban beta-gluten, mjaft i rëndësishëm për të forcuar sistemin imunitar, duke ndikuar në përmirësimin e shëndetit.
Ndihmon zemrën
Ushtrimet janë një pjesë shumë e rëndësishme nëse do të humbasësh peshë dhe është mirë që të ushtrohesh vazhdimisht nëse do një zemër të shëndetshme. Po ashtu, duke i shtuar dietës edhe tërshërën, mund të jesh e sigurt që zemra do të jetë e shëndetshme dhe në gjendje të mirë për të përballuar çdo lloj aktiviteti fizik. Sipas një studimi nga Universiteti i Harvardit, meshkujt që konsumojnë çdo ditë një tas me drithëra janë 29 për qind më pak të rrezikuar nga ataku kardiak.
Është e shijshme
Nëse je duke ndjekur një dietë dhe do të humbasësh kile, është shumë e rëndësishme të konsumosh ushqime të shijshme, përveç se të shëndetshme. Kjo do të të ndihmojë të jesh në rrugën e duhur për të humbur kile, si dhe ta shijosh çdo gjë që ha. Nuk ka rëndësi çfarë thonë të tjerët për tërshërën. Ajo është e shijshme.