Ju ka ndodhur të përdorni të njëjtin vaj më shumë se njëherë kur gatuani? Nëse po, kjo është një praktikë aspak e shëndetshme, megjithëse çmimi i tij tashmë pothuajse është trefishuar. Pasojat që sjell në shëndet ringrohja e vajit.

Substancat toksike

Kur vaji i përdorur rinxehet, çlirohen përqendrime më të larta të kimikateve të ndryshme toksike, si aldehidet, të cilat shoqërohen me shumë probleme shëndetësore. Ato lidhen kryesisht me sëmundjet e zemrës dhe problemet si demenca, Alzheimeri dhe sëmundja e Parkinsonit. Një substancë tjetër që lirohet kur vaji ringrohet është 4-Hydroxynonenal ose HNE, që konsiderohet mjaft toksik dhe mund të ndërhyjë në funksionet e ADN-së, ARN-së dhe proteinave.

Yndyrnat trans

Kur vajrat përpunohen në temperatura të larta, disa yndyrna shndërrohen në yndyrna trans dhe kur ky vaj ringrohet, lirohen sasi edhe më të mëdha të yndyrave trans, të cilat janë jashtëzakonisht të këqija për shëndetin e përgjithshëm. Ato mund të çojnë në probleme të tilla si goditje në tru, obezitet, dhimbje gjoksi, sëmundje të tretjes e madje edhe në sëmundje të zemrës, sepse konsumimi i yndyrave trans rrit nivelin e kolesterolit LDL në trup.

Kancerogjenet

Ngrohja e vajit rrit përmbajtjen e substancave të dëmshme si hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe aldehidet, të cilat shoqërohen me një rrezik në rritje të kancerit dhe sëmundjeve inflamatore. Për shkak të shumë problemeve që mund të sjellë, ekspertët këshillojnë që të përdorni gjithmonë vaj të freskët kur gatuani dhe shmangni ripërdorimin ose ringrohjen e vajit të parangrohur.