Nga data 4 janar 2025 do të nisë aplikimi i pagesës në segmentin Thumanë-Kashar. Në një njoftim për shtyp kompania koncesionare G2Infra bëri të ditur se kjo rrugë që është pjesë e korridorit Blu do të hyjë në regjimin e pagesës ashtu sikurse është parashikuar qysh në fillesat e saj.
“Ky aks ofron një përvojë udhëtimi më të sigurt më të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastruktuore të Shqipëri” vijon njoftimi i shkurtë i kompanisë.
Rruga Thumanë-Kashar u hap për qarkullim në 30 qershor 2024 dhe është një autostradë 21 kilometra. Kjo rrugë u ndërtua nga kompania private mbajtëse e konceisonit 35 vjeçar dhe me një kosto 271 milionë euro sikurse u deklarua gjatë ceremonisë së çeljes pak muaj më parë.
Kalimi në këtë rrugë është programuar me pagesë, vlera e të cilës varet nga mjetet por që nis nga një dysheme prej 2.1 euro pa TVSH dhe 2.52 euro me TVSH. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit dhe do të ndryshojë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Kontrata parashikon rrumbullakosje të çmimit kur është me presje dhjetore. Nga ana tjetër teksa monedha vendase është leku, pagesa në lekë do të bëhet në bazë të një kursi që do të përcaktohet në kontratë, i afërt me kursin e tregut.
Kontrata me Gener 2 dhe G2 Infra që janë mbajtëse të koncesionit përllogarit që gjatë 35 viteve plani i të ardhurave të jenë rreth 1.3 miliardë lekë pa TVSH.
Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.
Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro.
Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro.
Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke kulmuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.