Sipas informacioneve të mediave greke nga spitali Evangelismos, mjekët kanë nisur procesin e zgjimit të hierarkut 95-vjeçar, Anastas Janullatos proces ky që pritet të jetë afatgjatë dhe tejet delikat.
Kanë kaluar 48 orët kritike për kryepeshkopin e Shqipërisë dhe mjekët presin të shohin evoluimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Sipas spitalit Evangelismos, Kryepeshkopi Anastasios mbetet i intubuar, por hemodinamikisht i qëndrueshëm në kujdes intensiv, ku u shtrua të premten e kaluar pas operacionit të gjatë që iu nënshtrua për të trajtuar gjakderdhjen gastrointestinale.
Siç është raportuar, 95-vjeçari ka pasur një hemorragji gastrointestinale, të cilën mjekët që në momentin e parë që u shtrua në spitalin e Athinës u përpoqën ta trajtonin.
Janullatos ndodhet në spitalin Evangelismos që prej të premtes së 3 janarit, kur u transferua me urgjencë në Athinë nga Tirana me avion të Forcave Ajrore. Që prej datës 30 dhjetor ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë. Diagnoza fillestare ishte një grip sezonal.