Klodian Tomorri
Kur John von Neumann hodhi bazat e Teorisë së Lojës në modelet e tij matematikore, 70 vjet më parë, pak kush mund ta imagjinonte se ajo do të gjente zbatim gjithandej. Por sot, kjo teori aplikohet kudo; nga matematika në ekonomiks, nga vendimarrja strategjike e korporatave, deri tek zgjedhjet e përditshme të njerëzve në jetën e tyre.
Një nga konceptet më të njohura të Teorisë së Lojës është ai që njihet si Dilema e të Burgosurit. E prezantuar për herë të parë nga dy ekonomistë të Rand Coorporation, dilema modelon shumë situata të jetës së përditshme dhe gjen zbatim sa herë që vendimarrja e pavarur e një individi prek edhe dikë tjetër.
Supozoni një situatë kështu; Dy anëtarë të një organizate kriminale bien në prangat e policisë. Secili prej tyre mbahet i veçuar dhe pa mundësi komunikimi me tjetrin. Prokuroria ka disa prova të lehta kundër tyre, për të cilat mund të kërkojë një dënim relativisht të butë. Por njëkohësisht ka dhe një zgjidhje të artë në dorë. T’i ofrojë secilit një marrëveshje identike.
Ai që dëshmon kundër tjetrit lirohet menjëherë nga burgu, ndërsa tjetri dënohet me tre vjet. Nëse nuk dëshmon asnjëri, dënohen të dy me nga një vit secili. Nëse dëshmojnë të dy kundër njëri tjetrit dënohen me nga dy vjet secili. Cila do të ishte zgjidhja më racionale për të arrestuarit?
Në rrafshin e përgjithshëm vendimi më i mirë do të ishte që të heshtnin të dy dhe të dënoheshin me nga një vit secili. Por në rrafshin individual zgjidhja më e mirë është krejt e kundërta. Për ta kuptuar më mirë këtë duhet të jesh në pozicionin e njërit prej të arrestuarve. Për shembull, cilat janë kombinimet e mundshme të rezultatit për të burgosurin A?
Rasti i parë është kur i burgosuri B dëshmon kundër A. Nëse A hesht atëherë dënohet me tre vjet burg, por nëse dëshmon dënohet me dy vjet burg.
Rasti i dytë është kur B nuk dëshmon. Nëse edhe A nuk dëshmon ai dënohet me 1 vit, por nëse dëshmon del menjëherë nga burgu.
Pra, çfarëdo vendimi që të marrë i burgosuri B, të arrestuarit A i leverdis të tradhëtojë në çdo rast. E njëjta gjë vlen dhe anasjelltas.
Të parët që e kuptuan më mirë Teorinë e Lojës në Shqipëri ishin banditët e krimit të organizuar, të cilët u shndërruan bashkëpuntorë të drejtësisë në seri . Por profesorët e vërtetë të saj po rezultojnë zyrtarët e Rilindjes. Dosja e fundit e SPAK për inceneratorin e Elbasanit është prova e gjallë.
Ministra që dëshmojnë kundër kolegëve, kryetarë bashkish që dëshmojnë kundër bashkëshortëve të ministreve, drejtorë që dëshmojnë kundër eprorëve të tyre e kështu me radhe. Strategjikisht të gjithë këta janë duke u treguar racionalë dhe po marrin vendime për të optimizuar interesin vetjak. Por a mbaron këtur? Kjo është vetëm pjesa e dukshme. Nën rrogoz duhet të ndodhë shumë më tepër.
Për shembull, çfarë ndodh nëse drejtorët e bashkisë, të arrestuar për përfshirjen në aferën e inceneratorëve, vendosen në kushtet e Teorisë së Lojës? Statistikisht, probabiliteti që njëri prej tyre të dëshmojë është 100 për qind. Në mos të gjithë. Dhe kjo është shumë më racionale se sa të besosh që hetimi pasuror ndaj Erion Veliajt nisi nga një letër anonime e hedhur poshtë derës së Dumanit.
Me pak fjalë, Teoria e Lojës është sot armiku më i madh i organizatës mafioze të pushtetit dhe aleati më i madh i qytetarëve për të patur drejtësi. Por që modeli të funksionojë duhet që polici i lojës të mos kompromentohet./ Kapitali