Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar ashpër ndaj një postimi të ministrit Ervin Hoxha, i cili ka kundërshtuar versionin se punonjësi i policisë Azbi Spahiu tentoi vetëvrasjen pas presionit që i është ushtruar për ndalimin e djalit të biznesmenit Samir Mane.

Lala ka shprehur mbështetjen e saj për Azbi Spahiun, duke i uruar shërim të shpejtë dhe duke kritikuar ashpër strukturat e Policisë së Shtetit. Ajo e ka quajtur situatën një pasqyrë të mjerimit në të cilin ka rënë institucioni dhe një shembull të tradhtisë ndaj punonjësve të ndershëm të policisë.

“Policia dhe ministri kanë detyrimin të na thonë çfarë ndodhi me Azbiun! Të tjerat janë lojëra të ndyra që s’i shërbejnë askujt,” ka shkruar gazetarja.

Lala i ka bërë thirrje ministrit Ervin Hoxha që të ndalë akuzat dhe të dalë publikisht me transparencë të plotë për ngjarjen, duke prezantuar prova, dokumente dhe çdo material që ndihmon në zbardhjen e rastit. Ajo ka kërkuar hetimin e çdo detaji, përfshirë komunikimet telefonike të personave të përfshirë në ngjarje.

“Mjafton ndalimi nga policia për pak orë i djalit të Samir Manes për të kuptuar se në çfarë mjerimi ka përfunduar vendi dhe sesi policia tradhton të vetët,” ka përfunduar Lala në reagimin e saj./gazetajonë