Dy ish-gjyqtarë dhe një avokate janë arrestuar në Elbasan me urdhër të SPAK-ut pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me personazhe të krimit të organizuar.
Burime jo zyrtare thanë për gazetaren Anila Hoxha se ka dyshime se emrat e gjyqtarëve përmenden në aplikacionit “Sky Ecc” për zbutjen e një mase sigurimi personal.
GJKKO vendosi masë arresti ndaj ish-gjyqtares Pajtime Fetahut, kontroll banese ndaj banesave të dy ish gjyqtarëve Zihni Shahu dhe Taulant Tafa.
Ndërkohë masë arresti shtëpiak për Blerina Beqirin, avokate e grupit të Suel Çelës.
Burime jo zyrtare thonë se në një moment bashkëbiseduesit ankohen “nuk dëgjon Tomi” për ish gjyqtarin Tomorr Kullolli i cili pas ankesave u përjashtua nga trupa gjyqësore.
Gjatë operacionit të SPAK, ranë në pranga dy ish gjyqtarë, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle të befasishme në ‘bazat’ e Suel Çelës.
I njohur për të shkuarën e tij kriminale në trafikun e drogës dhe përplasjes me policinë, Çela kërkohet të vihet para drejtësisë pasi bashkëpunëtori i tij i dikurshëm Nuredin Dumani pasi u pendua u tregoi hetuesve se Suel Çela i njohur dhe me emrin Marjus Lulaj e kishte paguar për të vrarë Elton Kilën, të njohur me emrin Oti si edhe administratorin e një shkolle private në Tiranë Lulëzim Masha, krime për të cilat kishte paguar mijëra euro. Atentati ndaj Kilës nuk u realizua ndërsa ndaj Mashës dështoi pasi plumbat kapën vetëm makinën.