Historia e pastrueses dhe djalit të saj e arrestuar për vjedhje në banesën e së Alda Klosi alias “Çiko”, ish-shefes së Kabinetit të Arben Ahmetaj, njëherësh këshilltare pranë Kryeministrit Rama duket se ka hapur kutinë e pandorës.
Në banesën e Rozeta Rakipllarit u zbuluan mbi 500 mijë euro të cilat dyshohet se i përkasin zyrtares Alda Klosit. I ftuar në RTV Ora kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar Dashamir Shehi komentoi këtë ngjarje.
Dashamir Shehi: Kjo është çështje për prokurorë por po e gjykoj si fenomen. Pastruesja është një hajdute profesioniste, por dhe kjo tjetra që ka 500 mijë euro kështu i bie të jetë. Unë gjykoj se 500 mijë me rrogë shteti nuk mblidhen.
Kjo është një çështje që i duhet lënë prokurorisë dhe policisë. Ky është një akt i rëndë që tregon se korrupsioni është bërë mënyrë jetese, ka fituar qytetarinë. Pothuajse të gjithë e dinë nëpunësit e shtetit mbajnë me miliona lekë në shtëpiat e tyre. Gjithnjë ka pasur një shkallë të lartë korrupsioni në Shqipëri, kjo edhe për arsye të varfërisë, izolimit, mos mësimit me një adminsitratë moderne por kjo dekadë e fundit ka pasur një lloj përshkallëzimi.
Këtu çfarëdolloj nëpunësi apo çfarëdolloj roli të vogël të qoftë do të gdhihet milioner, do të ketë vilë në Vlorë, vilë në Sarandë, makinë që bën 50 mijë – 100 mijë euro, gjëra të pamendueshme 20 – 30 vjet mëpërpara.
Shehi thotë se fenomeni i korrupsionit kërkon një reagim më të madh shoqëror dhe politik dhe nuk vështë vetëm detyrë e SPAK.
Dashamir Shehi: Këtu mendojnë se mund të rregullohet me SPAK. Por SPAK nuk rregullon dot të gjithë shoqërinë shqiptare. Është gabim i madh. Po i vënë mbi shpinë një barrë që nuk ka për ta mbajtur kurrë. Jo dhjetë burra por 100. Shoqëria duhet të dënojë publikisht dhe politikisht.
Të mos i votojë. Presim të na rregullojë politikën SPAK. Jo politika duhet të vetërregullohet. SPAK duhet të rregullojë ata që në emër të shtetit janë bërë “kriminelë”. Ato shefat e mëdhenj. Ndoshta kjo zonjë mund të hyjë në këtë punë. Se të mbash 500 mijë euro. Edhe tek BB po të marrësh 500 mijë euro duhen 5 libra me letra për ti marrë, këta I fitokan me kaq zotësi.