Zana Çela nuk është më drejtuese e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ajo e ka lënë postin e saj që prej datës 1 korrik, pasi humbi zgjedhjet. Më 22 qershor të këtij viti, pas zgjedhjeve për drejtimin e TKOB-së, Këshilli i Ministrave vendosi që drejtuesja e re të jetë Abigeila Voshtina. Ndaj edhe sot Çela ka dhënë lamtumirën e saj me institucionin që e drejtoi për 6 vite.
Me anë të një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Çela thotë se ndihet e nderuar që për nivelin e lartë të audiencës që shfaqet në Teatrin e Operas morën gjatë viteve të detyrës së saj. Ajo kujton dhe Teatrin Kombëtar, i cili tashmë është shembur nga autoritetet.
“Te dashur miq, që nga data 1 Korrik, une nuk jam më në Teatrin e Operas. Për 6 vjet me radhë e drejtova operan në momentet më të veshtira të saj, prej të cilave 4 vjet pa godinën e teatrit, duke shënuar sfidën më të madhe të jetës sime profesionale, por dhe të historisë se teatrit. Ndjehem me fat që largohem nga ky teatër duke e lene në nivelin më të larte te audiences, numrit të shfaqjeve dhe bashkëpunimeve me teatrot europiane. Kam qene e nderuar që kam ndjere pa ndërprerje vëmëndjen dhe mbeshtetjen tuaj, kur ju shikoja tek ndiqnit me entuziazëm shfaqjet tona e kur merrja mesazhet e ngrohta prej jush! Ju falenderoj me zemer e do më keni gjithmone miken tuaj! Sfida të tjera më presin,”- shkruan Zana Çela.
Abigela Voshtina u zgjodh mes shtatë kandidaturave nga një komision i ngritur nga Ministria e Kulturës, ku kishte specialistë shqiptarë dhe të huaj. Voshtina ka propozuar në platformën e saj një kalendar dy-vjeçar dhe bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë e Tiranës. Ajo zëvendëson në këtë post Zana Çelën, e cila e mbajti këtë detyrë që nga gushti i 2016, por nuk arriti që të merrte një mandat të dytë. Violinistja mundi në këtë garë primabalerinën Adela Muçollari, Tenorin Josif Gjipali, Koreografin Tomorr Kokona, trompistin Kleanthi Gjika dhe Arben Skënderin.