-900-0-1738852252x00000-928

Vazhdojnë seancat gjyqësore të Nuredin Dumanit. Gjatë ditës së sotme, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i penduari i drejtësisë ka dhënë një tjetër emër, për të cilin tregon se e ka ndihmuar në vrasje. Kësaj here bashkëpunëtori në krim nuk është një njeri i thjeshtë, por një oficer policie. Identiteti i tij nuk është zbuluar i plotë, por vetëm me inicialet K.G., i cili informonte bashkëpunëtorin e Dumanit, Henrik Hoxhën për lëvizjet e Elton Kilës, i njohur edhe si “Oti”.

“Ky i fundit (Hoxhaj) më njoftonte mua për lëvizjet e shënjestrës,”-është shprehur Dumani gjatë dëshmisë së tij në gjyq.

Por duket se efektivi në fjalë nuk ka qenë i vetmi që e ka “ndihmuar”. Ai tregoi se ka korruptuar disa efektivë të Policisë së Shtetit, duke përmendur që nga ata të kufirit, të cilëve u jepte para sa herë fuste armë zjarri nga Kosova, deri tek punonjësit e “Rrugores”.

“Me efektivët e policisë kemi bashkëpunuar në disa raste. Korruptoja efektivët në kufi kur sillja armë zjarri. Ndërsa policëve rrugorë u jepja nga 5 mijë lekë për të më lënë të lirë kur kryeja shkelje,“-tregon Dumani në dëshminë e tij.

Seanca i zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorëve të posaçëm, dhe togat e zeza kanë urdhëruar ndalimin e nxjerrjes së të dhënave nga dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë që po rrëfen për dhjetëra krime, mes të cilave vrasje dhe grabitje.

Gjatë operacionit “Plumbi i artë” i zhvilluar disa vite më parë u lëshuan 32 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan në burgje, 9 persona u arrestuan ndërsa 14 të tjerë u shpallën në kërkim. Kjo shifër me kalimin e kohës ka ndryshuar me më shumë të arrestuar. E gjitha nisi pas dëshmive që dha një nga personazhet më të njohur të botës së krimit; Nuredin Dumani. Ky i fundit ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali.